Nagavci pas vendimit të Kushtetueses: S’mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as…

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës. Lidhur me këtë ka reaguar ministrja e MASHTI-it, Arbërie Nagavci. Ajo ka thënë se e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet asnjë fëmije, nga askush.
“Është obligimi im kushtetues, profesional e moral që të angazhohem për realizimin e të drejtës për arsim për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh ku ata jetojnë”, ka shkruar Nagavci.
E para e MASHTI-it në Kosovë, tha se vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar, për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës e ka marrë pasi dështuan të gjitha përpjekjet që një hap i tillë të ndërmirret nga kryetari i Komunës.
“Si Qeveri kemi obligim të sigurojmë vijimin e shkollës për të gjithë nxënësit dhe nuk mund të lejojmë që ata të bëhen peng i mosmarrëveshjeve në mes të Kryetarit të Komunës dhe komunitetit ku jetojnë. Me marrjen e vendimit për mësim të përshpejtuar, 441 fëmijë në Komunën e Kamenicës janë rikthyer në bankat shkollore pas më shumë se 7 muajve. Rreth 100 nxënës të fshatit Busavatë për dy vite nuk kanë vijuar mësimin. Kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, është papërgjegjësi, është e patolerueshme dhe e pafalshme”, ka shkruar tutje Nagavci.
Në fund Nagavci ka thënë se vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta analizojë “me kujdes në ditët në vijim”, por ka theksuar se është e bindur se mosveprimi nga ana e saj në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve.
“Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste”, ka shtuar ajo./21Media

Back to top button