Nagavci për kërkesat e SBASHK-ut: Çdo orë e humbur duhet të kompensohet

2 min read

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në ‘Kallxo Përnime’ ka komentuar kërkesat e fundit të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) dhe protestën e fundit që në shumë shkolla mësimdhënësit nuk mbajtën mësim për shkak të saj.

Ajo tha se mbështet kërkesat për kushte më të mira të punës, por jo të mos mbahet mësimi në këtë situatë kur pandemia ka lënë shumë ditë të humbura të mësimit.

“Jemi duke punuar si qeveri me një përkushtim të madh në Ligjin për Paga që është kërkesë e drejtë dhe është një nga nevojat për zyrtarët publik, por natyrisht nuk mbështes për asnjë moment mohimin e të drejtës bazike të nxënësve për shkollim”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se mësimdhënësit kanë të drejtë të protestojnë, por jo të humben orët.

“Mësimdhënësit kanë të drejtë të protestojnë, të realizojnë të gjitha kërkesat e tyre ka forma të ndryshme para grevës dhe besoj që në këtë periudhë qe ne jemi që ka pas humbje të mëdha të shkaktuara nga pandemia, në fund të vitit shkollor, mohimi i të drejtës për shkollim të nxënësve është në dëm të të gjithë neve”, tha Nagavci.

Ministrja e Arsimit shtoi se ajo është takuar me kryetarin e SBASHK-ut çdo herë që ai ka kërkuar.

“Z.Jashari është takuar me mua çdo herë që ka pasur nevojë, është mëkat që sistemi i arsimit të ndikohet kaq shumë prej krerëve të sindikatës sepse unë jam e bindur që nuk është vullneti i mësimdhënësve të mos kryejnë punën e tyre edhe të mos ofrojnë mësim nxënësve”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se kanë kërkuar nga drejtoritë e arsimit të dhëna për orët e humbura dhe theksoi se çdo orë e humbur duhet të kompensohet./kallxo