Nagavci: S’kemi mundur të qëndrojmë symbyllur
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se MASHTI është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me aktgjykimin që është rezultat i parashtresës së Komunës së Kamenicës.
Ajo ka thënë se ky vendim është marrë me 23 prill 2021 me qëllim që t’u mundësohet 441 fëmijëve të Kamenicës që të vijojnë mësimin pasi kishin kaluar dy vjet pa vijimin e mësimit.Ajo ka thënë se nuk ka mundur të jetë symbyllur ndaj faktit që pavarësisht se ata fëmijë kanë jetuar në komunën e Kamenicës nuk kanë mundur të vijonin mësimin.“Në aktgjykim, Gjykata thotë se nuk do të lëshohet në vlerësimin e çështjes për të drejtën në arsim. Ndryshe nga Gjykata që nuk e ka trajtuar atë, ne si Ministri nuk kemi mundur të mos e përmbushim një obligim të tillë. Mohimi i së drejtës për shkollim pa fajin e tyre u vendosë në një fushëbetejë politike. Si ministre kam respektuar obligimin tim”, ka thënë ajo.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Nagavcit, pasi që sipas tij, MASHT-i e ka shkelur Kushtetutën.
Edhe deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, i ka thënë Nagavcit që formalisht, jo moralisht, ta konsiderojë dorëheqjen “që të mos bëheni model për gjeneratat e reja që një ministre e arsimit shkel kushtetutën”./21Media