Nagavci thirrje komunave: Mos pranoni kuadër tjetër për pozitat e lejuara për psikologë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë thirrje te komunat ta trajtojnë me seriozitet çështjen për shpalljen e konkurseve për psikologë nëpër shkolla.
Nagavci shkroi se “roli i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla është shumë i rëndësishëm”.
“Në Grantin e arsimit në nivel vendi, Qeveria ka të miratuara 520 pozita për psikologë shkollorë. Por, për fat të keq më pak se 1/3 e tyre janë të punësuar. Si Ministri e Arsimit bëjmë thirrje tek komunat që në kuadër të përgjegjësive të tyre, këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet, të shpallin konkurset dhe të mos pranojnë kuadër tjetër për pozitat të cilat i kanë të lejuara për psikologë.  Mirëpresim shpalljen e konkursit për 25 psikologë në Komunën e Prishtinës dhe i ftojmë që sa më shpejt të hapin konkursin edhe për së paku 25 psikologë tjerë.  Komuna e Prishtinës i ka në dispozicion 66 pozita për psikologë e pedagogë, por aktualisht janë vetëm 4 pedagogë dhe rreth 12 psikologë të punësuar në shkollat e Prishtinës”, shkroi Nagavci.
Ndërkaq, sot Komuna e Prishtinës ka hapur konkurs për pranimin e psikologëve për shkollat e kryeqytetit.
Drejtoria e Arsimit në këtë komunë është në kërkim të 25 psikologëve. Sipas njoftimit, thirrja vlen për institucionet parashkollore, shkollat fillore dhe ato të mesme./21Media 

Back to top button