Nagavci thirrje mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot u ka bërë thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë, “duke reflektuar mbi gjitha veprimet e deritashme të Qeverisë e duke i dhënë mundësi reformave tjera gjithëpërfshirëse që janë në proces e do të përfundojnë së shpejti”.
Ajo ka potencuar se greva është instrument demokratik dhe legjitim për vënien në pah të problemeve të punëtorëve, në secilin vend demokratik.
Nagavci ka shkruar se përtej specifikave historike e ligjore të secilit vend, praktikat gjithandej Evropës dhe botës e tregojnë një gjë: kur grevat janë të sinqerta dhe përdoren për t’i sjellë në agjendë të vendim-marrësve kërkesat e punëtorëve, ato nuk vazhdojnë edhe nëse nuk plotësohen 100% të kërkesave menjëherë.
Sipas saj, kur nuk e kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punëtorëve, por shantazhimin e palës tjetër, fshihen pas barrikadës së 100% të kërkesës, dhe atë menjëherë.
“Por, për dallim nga e kaluara kur grevat i kanë ndërprerë vetëm me oferta, kësaj radhe kanë vendosur të injorojnë jo vetëm ofertat shumëfish më të mira, por edhe veprimet tashmë të ndërmarra që i afrohen shumë kërkesës së tyre.”, ka shkruar ajo, duke shtuar se veprimet e Qeverisë Kurti jo vetëm që janë duke i arritur, por duke i tejkaluar kërkesat e SBASHK.
“Një pjesë menjëherë, një pjesë me reforma sistematike. I kemi ndarë nga 50 euro në muaj (të pataksueshme) për të gjithë të punësuarit e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, nga shtatori deri në fund të këtij viti. Jemi në hapat e fundit të dorëzimit në Kuvend të Projektligjit për paga, i cili do të rezultojë me rritje të përgjithshme të pagave të mësimdhënësve, shumë përtej kërkesës së SBASHK-ut. Pa përmendur të gjitha proceset e përmirësimit të legjislacionit dhe mekanizmave për rritje të cilësisë së arsimit, e të cilat jemi duke i ndërmarrë me shumë zell. Të gjitha këto SBASHKU i di, sepse u’a kemi komunikuar në vazhdimësi. Projekt-ligjin për paga e kemi ndarë për konsultim me ta ende pa dalë në konsultim publik, përtej obligimeve ligjore që i kemi. Kërkesën e parë për takim pas nisjes së grevës e kemi bërë ne, ani që kërkesat janë të tyre. Planin afatgjatë për përmirësim të cilësisë së arsimit u’a kemi komunikuar ne, sepse asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë prej tyre. Por, kanë vendosur t’i injorojnë. Arsyen e vërtetë e dinë vetëm udhëheqësit e SBASHK-ut, por përfundimisht kjo arsye nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale.”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Përkundër kësaj, ka shtuar Nagavci se Qeveria dhe MASHTI do të vazhdojë ta bëjë punën që e ka në mandat për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë.
Nga data 25 gusht, shkollat janë në grevë në të gjithë Kosovën. Sindikatat po kërkojnë nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave./21Media

Back to top button