Nagavci uron nxënësit: Nuk do të jetë e lehtë as këtë vit
Sot në Kosovë fillon viti i ri shkollor 2021/2022.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka uruar nxënësit, mësimdhënësit e prindërit, teksa ka shkruar se nuk do të jetë e lehtë as këtë vit, puna në shkolla.
“Në këtë fillim viti shkollor kur akoma po përballemi me pandeminë, angazhimi ynë për të bërë më të mirën, për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm, është i vazhdueshëm. Sfidat e brengat do t’i tejkalojmë bashkë, me vullnetin, kuriozitetin e energjinë për mësimnxënie e mësimdhënie.
Nuk do të jetë e lehtë as këtë vit, puna në shkolla. Krahas masave që kemi ndërmarrë, krahas kujdesit për sigurinë e shëndetin, nuk duhet lënë anash as betejat për rezultate në të nxënë, në arsimim e edukim. Me kujdes të shtuar, respektim të masave, bashkëpunim e përkushtim, për rezultate sa më të mira! “, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka bërë të ditur se ka hartuar udhëzuesin për organizimin e procesit mësimor në kushte të pandemisë COVID-19, i cili parasheh 4 skenarë për zhvillimin e procesit mësimor, varësisht nga situata epidemiologjike dhe kushtet specifike në shkolla./21Media