NATO dënon sulmin në Kabul, BE e shqetësuar për terrorizmin

 
NATO të enjten dënoi “sulmin e tmerrshëm terrorist” në Kabul, ndërsa udhëheqësi i Bashkimit Evropian paralajmëroi se paqëndrueshmëria në Afganistan nuk duhet të ndikojë në rritjen e terrorizmit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka dënuar një “sulm të tmerrshëm terrorist” pranë aeroportit të Kabulit.
“Prioriteti ynë mbetet të evakuojmë sa më shumë njerëz në siguri sa më shpejt të jetë e mundur,” shkroi Stoltenberg në Twitter.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, ndërkohë, theksoi se “sigurimi i kalimit të sigurt në aeroport mbetet thelbësor”.
“Ne duhet të sigurohemi që paqëndrueshmëria aktuale nuk mund të çojë në një ringjallje të terrorizmit,” tha Michel.
Sulmi u dënua gjithashtu nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.
NATO dhe BE kanë bërë thirrje për evakuime të vazhdueshme nga Kabuli, pavarësisht sulmit. Perëndimi po kryen operacionet e fundit të evakuimit në Afganistan, të cilat mendohet se janë në rrezik pasi talibanët morën pushtetin, përpara afatit të tërheqjes më 31 gusht.
BE të martën u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë të sigurojnë aeroportin “sipas nevojës” përtej afatit, në mënyrë që sa më shumë njerëz të mund të evakuohen, por Uashingtoni refuzoi çdo zgjatje.
Një burim i mirëinformuar tha se nuk kishte asnjë indikacion nga Shtëpia e Bardhë se presidenti Joe Biden mund të ndryshonte planin në afatin e tërheqjes pas shpërthimit në Kabul.
Zyrtarët amerikanë thanë se ata besojnë fuqishëm se Shteti Islamik qëndron prapa sulmit.
Një shpërthim në aeroportin e Kabulit vrau 13 persona, përfshirë një fëmijë dhe plagosi shumë roje talibanë, tha një zyrtar taliban për Reuters.
Shkaku i shpërthimit, i cili ndodhi gjatë përpjekjeve për evakuim, duket të jetë një sulmues vetëvrasës, tha një zyrtar amerikan të enjten, duke cituar raportet fillestare, me paralajmërimet se raportet mund të ndryshojnë.

Back to top button