“NATO-ja do ta përshëndes progresin e Maqedonisë dhe do ta mbështesë Ukrainën”

Stoltenberg edhe një herë i bëri thirrje Rusisë t’i lirojë marinarët dhe anijet ukrainase

Ministrat e punëve të jashtme të vendeve-anëtare të NATO-s në takimin e ardhshëm dyditor do ta përshëndesin progresin e Maqedonisë në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancë dhe do t’i shprehin mbështetje Ukrainës, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg.

“Ukraina nuk është pjesë e NATO-s, por anëtaret e Paktit do të vazhdojnë t’i ofrojnë mbështetje dhe ndihmë të fuqishme politike për modernizimin e Armatës ukrainase”, deklaroi Stoltenberg.

Para fillimit të sotëm të takimit ministror, Stoltenberg edhe një herë i bëri thirrje Rusisë t’i lirojë marinarët dhe anijet ukrainase, që i ka mbajtur më 25 nëntor në afërsi të Krimesë.

Ai theksoi se NATO-ja është e shqetësuar për shkak të zhvillimit të sistemit të ri raketor rus dhe shkeljen e Marrëveshjes për heqjen e raketave me veprim të mesëm dhe të shkurtër nga Evropa.

Stoltenberg theksoi se ministrat në takimin e ardhshëm do t’i shprehim edhe mbështetje të fuqishme Gjeorgjisë dhe do t’i mbështesin përpjekjet për negociatave paqësore midis Qeverisë së Afganistanit dhe talebanëve./TV21

Back to top button