Ndahen 13500 euro për medalistët e Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”

13.500 euro janë ndarë për medalistët e Lojërave Mesdhetare Oran 2022 nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Ekipi kosovar  në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, fitoi  gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta, me sportet e xhudos (pesë) dhe boksit (një).
E për këtë sukses, në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës, nën drejtimin e presidentit Ismet Krasniqi u mor vendim sot që të shpërblehen sportistët që fituan medalje.
“Medalistet e arta, xhudistet Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, do të shpërblehen me nga dy mijë euro, ndërsa medalistët e bronztë, boksieri Shpejtim Bajoku dhe xhudistët Akil Gjakova e Flaka Loxha, do të shpërblehen me nga një mijë euro. Trajnerëve do t’u takojë gjysma e shpërblimit të sportistit. Në total, shuma e ndarë është 13500 euro.”, bëhet e ditur nga komiteti.
Ndryshe, në këtë mbledhje u miratua edhe raporti financiar për periudhën tremujori i parë i vitit dhe u vendos që anëtari i BE, Bujar Turjaka, të përfaqësojë KOK-un në cilësinë e anëtarit të komisionit për licencimin e federative sportive, komision ky i formuar nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport. Ndërsa, shefi i misionit, Jeton Rudari, raporti për përgatitjet e pjesëmarrjes së ekipit të Kosovës në Festivalin Evropian Veror për të Rinj (EYOF), që prej 24-30 korrik 2022 mbahet në Banska Bistrica të Sllovakisë. Po ashtu u vendos që xhudistja, Fatjona Kasapi, Shpresë Olimpike 2022, të mbështetet me një mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të operimit. Si dhe  uaprovua kërkesa e Federatës së Karatesë së Kosovës për karateistin Elhami Shabani, i cili rekomandohet në MKRS për marrjen e shpërblimit, pas medaljes së bronztë të fituar në Kampionatin Evropian 2021, të mbajtur në Stamboll të Turqisë./21Media

Back to top button