Ndërmarrja “Ibër-Lepenci” sivjet me përformancë pozitive

Lluka vlerëson përformancën e NH “Ibër-Lepenc”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka me bashkëpunëtorë ka vizituar sot Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” sh.a. në Prishtinë, me ç’rast u takua me Kryeshefin Ekzekutiv, Januz Kabashi, nga i cili u njoftua për gjendjen në këtë ndërmarrje dhe sfidat me të cilat ballafaqohet.

Januz Kabashi bëri të ditur se në periudhën Janar-Nëntor 2017, fitimi operativ i ndërmarrjes ishte rreth 12.3 % dhe të hyrat për vitin 2017 janë realizuar 0.98% më shumë se plani dhe në krahasim me vitin e kaluar 7.71% më shumë.

Sipas një komunikate për medie, gjatë takimit u diskutua edhe projekti i Bankës Botërore, i cili kap vlerën prej 22 milionë euro, 7 prej të cilave do të jenë investim në rezervarin e Mihaliqit dhe 15 milionë të tjera kredi, me “grejs” periudhë prej 5 viteve.

Lluka premtoi se MZHE sa më shpejtë që është e mundur do të përmbushë të gjitha obligimet që ka, ku hyn edhe themelimi i Komitetit Drejtues në mënyrë që ky projekt të ecë përpara.

Kreu i MZHE-së ka vlerësuar performancën pozitive të kësaj kompanie, duke ritheksuar se orientimin e institucionit që drejton është që NP-të të përmirësojnë performacën e tyre në funksion të përmirësimit të shërbimeve dhe vet qëndrueshmërisë financiare.

Ndryshe, çështjet tjera që u trajtuan në takim ishin edhe Projekti i fizibilitetit të Lepencit, i cili vlerësohet me rëndësi strategjike për vendin, problemet që lidhen me borxhet që kanë ndërmarrjet tjera publike ndaj ndërmarrjes dhe kontrata me KESCO./21Media

Back to top button