Ndërprerja e grevës së minatorëve, “Trepça” publikon dokumentin e marrëveshjes

(Lajm i përditësuar)


Pas 10 ditësh grevë, minatorët kanë arritur marrëveshje me Ndërmarrjen “Trepça”, për ndërprerjen e grevës dhe realizimit të kërkesave të parashtruara nga ana e minatorëve.

Ndërmarrja “Trepça” ka publikuar letrën e minatorëve me katër kërkesat e parashtruara, ndërsa bën të ditur se është pajtuar që tri kërkesat e tyre të realizohen.

“Paga e minatorit prej 6-10 të muajit; Të shpallet konkursi i KE-së; Të përmirësohen kushtet e sigurisë; Të tërhiqen vendimet e nxjerra gjatë grevës”, ishin kërkesat e paraqitura nga ana e minatorëve.

Ndërsa, letrën e publikuar nga Ndërmarrja “Trepça” thuhet se Bordi i Përkohshëm i ka trajtuar me kujdes kërkesat e minatorëve dhe se pajtohen në tri pika.

“Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve jemi në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e paraqitura nga ju, sepse janë edhe prioritet tona tashmë. Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve pajtohemi me pikat 1,2,3. Kërkesa e fundit e letrës tuaj ju sigurojmë që do të analizojmë dhe shqyrtojmë në vijimësi vendimet e KE-së, përfshirë ato nga data 27.10.2023”, thuhet në letrën e Ndërmarrjes “Trepça”.


Minatorët ndërpresin grevën

Greva e minatorëve të Trepçës ka përfunduar në ditën e 10-të pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet minatorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë.

Marrëveshja është arritur në orët e vona të mbrëmjes.

Pjesëmarrës në negociata ishin deputetë të VV-së, përfaqësues të Bordit të ndërmarrjes Trepça dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Mësohet se minatorët dhe zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë janë dakorduar për plotësimin e kërkesave të grevistëve.

Ndryshe, këta të fundit kishin hyrë në grevë të martën e javës së kaluar me kërkesat si: ekzekutimi me kohë i pagave, shkarkimi i menaxhmentit të Trepçës, sigurimi shëndetësor i minatorëve, përmirësimi i kushteve dhe mjeteve të punës.

Gjatë kësaj kohe sa ishin në grevë, shumë nga ta kishin probleme shëndetësore.

Kryeministri Albin Kurti nuk i kishte vizituar gjatë gjithë këtyre ditëve sa ata ishin në grevë.

Për këtë çështje, opozita në Kuvend kishte kërkuar miratimin e një rezolutë në ndihmë të minatorëve, por që nuk ishte mbështetur nga mazhoranca./kp

Back to top button