Ndërron jetë një 58-vjeçar në Ferizaj, dyshohet se ra nga kati i 4-të në hapësirën e ashensorit

Një person ka vdekur në Ferizaj pasi dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit nga kati i katërt i një ndërtese kolektive.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Ju njoftojmë se më datën 27.08.2025, rreth orës 09:20, kemi pranuar një informatë se në rrugën “Sadik Bega” – Ferizaj, një person dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit, kati i katërt i një ndërtese kolektive . Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje, ku kanë arritur gjithashtu ekipi i Emergjencës dhe ai i Zjarrfikësve. Mjeku kujdestar që ka dalë në vendngjarje ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Personi i vdekur është një mashkull kosovar, 58 vjeç”, tha Veseli për portalin rtv21.tv

Ai tha se me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

“Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë e hetimeve të stacionit policor në Ferizaj si dhe ato të Sektorit Rajonal. Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML-Prishtinë për obduksion”, tha Veseli për portalin rtv21.tv /21Media

Back to top button