Ndërtimet në Badoc, VV akuzon Komunën dhe Ministrinë e Mjedisit

Vazhdojnë polemikat rreth ndërtimi afër Liqenit të Badocit

Lëvizja Vetëvendosje  përmes një konference ka drejtuar gishtin akuzues kah Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Thonë se këto dy institucione kanë shkeluar ligjin sa i përketë çështjes së  proejkteve për ndërtimet te Liqeni i Badocit.

“Komuna dhe ministria kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët në Badoc. Komuna dhe ministria kanë shkelur legjislacionin në fuqi. VV mbështet iniciativat qytetare për mbrojtjen e këtij liqeni. Lejimi i ndërtimit të shtëpive në afërsi të liqenit rrezikon ujin”, tha Asamblisti i LVV në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani.

Akuza të njëjta pati edhe deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

“Komuna ka lëshuar kushtet e ndërtimit, kjo i bie që komuna i ka dhënë kompanisë mundësinë t’i plotësojë kushtet. Por në momentin kur kompania plotëson kushtet, komuna nuk ka mundësi që mos t’ia japë lejen e ndërtimit. Ne konsiderojmë se komuna nuk është dashur të lëshojë këto kushte. Ne jemi dëshmitarë se Prishtina dhe gjithë Kosova po përballet me mungesë të ujit, ministria hesht, ndërsa komuna lëshon kushtet ndërtimore”, tha ajo.

Pacolli i bëri thirrje komunës dhe ministrisë që të ndalojnë ndërtimet në zonën e Badocit.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ditë më parë kishte deklaruar se Kompania KAWA ka aplikuar për kushte ndërtimore. “Në këtë procedurë është qe disa vite”, kishte thënë ai.

Kundër nërtimeve në Badoc ka dalur edhe Partia Demokratike e Kosovës, ndërkohë qytetarët përmes një grupi në Facebook dhe peticioni online po shprehin revoltën e tyre kundër ndërtimeve.

Ndërsa, në emër të 26 mijë anëtarëve – Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badocit ka parashtruar pesë kërkesa për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunën e Prishtinës. Mbrojtësit e Liqenit mes tjerash kërkojnë të anulohet vendimi për dhënien e kushteve ndërtimore, të rregullohet mbrojtja e zonave ujore, zona rreth Liqenit të shpallet peizazh i mbrojtur dhe të largohen objektet që janë ndërtuar 210 metra në afërsi të liqenit akumulues./21Media

Back to top button