Ndëshkime për ata që ndezin goma

Janë angazhuar inspektorët

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë paralajmëruar ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri kjo mjaft e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve-1 Maj, gjegjësisht ndezja bëhet me 30 Prill në mbrëmje.

MMPH nëpërmjet një komunikate thotë se Ligji për mbrojtjen e ajrit, gjegjësisht Udhëzimi Administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave.

“Me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë. Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme. Dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore. Ndezja e zjarreve të tilla, veçanërisht gjatë ditës së nesërme, bart me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për Republikën e Kosovës dhe imazhin e saj.Janë shpeshtuar rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar fëmijë, ose janë djegur sipërfaqe të tëra me pyje”, thuhet në komunikatë.

Sipas MMPH-së, ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë.

Ministria e Mjedisit bënë me dije se gjatë ditës së sotme janë angazhuar inspektorët e saj, si dhe Policia e Kosovës dhe tërheq vërejtjen se kushdo që zihet, ose dëshmohet se ka ndezur zjarre do të dënohet sipas ligjeve ne fuqi.

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button