Arrestohet një aktivist i Vetëvendosjes

VV kërkon lirim të mënjëhershëm të aktivistit Arifaj

Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Flamur Arifaj në Aeroportin e Prishtinës, teksa po nisej për një vizitë private në Itali ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një shkrimi në “Facebook”.

“Aktivisti Arifaj është ndalur dhe arrestuar për shkak të aksionit të rrotullimit të xhipave, i vitit 2009, për të cilin rast Policia ka arrestuar disa herë aktivistët tanë, përfshirë edhe vetë aktivistin Flamur Arifaj”, thuhet në postimin e VV-së.

Ata thonë se me arrestimet e tilla, Policia po dëshmon se është vetëm instrument i pushtetit që ka kapur të gjitha institucionet.

“Në vend që aktiviteti i saj të jetë për të vendosur rend e ligj në vend, ajo shpesh shkel vetë ligjet, për të përmbushur porositë e klanit kriminal “Pronto”. Duke mos luftuar strukturat paralele që cenojnë shtetësinë e Kosovës çdo ditë, e duke u marrë me raste të aktivistëve tanë – të para disa viteve – që lidhen me aksione simbolike në mbrojtje të Republikës, po vërtetohet se Policia drejtohet nga një skemë e njerëzve që janë vegla të mafiozëve të pushtetit”, thuhet më tej në njoftimin e tyre.

Gjithashtu VV ka kërkuar që të lirohet aktivisti Flamur Arifaj dhe të marrë fund përndjekja e aktivistëve të Vetëvendosje-s./21Media.

 

Back to top button