Ndihmëssekretari i NATO-s bën thirrje për shtensionim

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të marrin hapa për shtensionim të situatës.

Goffus u ka bërë thirrje palëve të respektojnë të gjitha marrëveshjet e NATO-s.

“Jam këtu për të konfirmuar qëllimin e NATO-s për paqe e stabilitet. Nuk kemi parë përparim nga Prishtina e Beogradi për deeskalim dhe kjo ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Nga ngjarjet e fundit, kemi pasur numrin me të madh të ushtarëve të lënduar të KFOR-it që nga viti 1999. Kjo është e papranueshme. Është çështje urgjente për Prishtinën dhe Beogradin të ndërmarrin hapa konkretë për shtensionim, të dialogojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet. Të gjitha marrëveshjet me NATO-n duhet dhe do të respektohen”, ka thënë Goffus.

Goffus ka treguar se ka vizituar ushtarët e KFOR-it në veri, ndërsa ka thënë se ushtarët janë të gatshëm të intervenojnë nëse ka përshkallëzim të situatës.

“U bëjmë thirrje dy palëve që ta respektojnë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin zbatues të Ohrit. Askush nuk duhet të tentojë një konflikt të ri në Evropë”, ka thënë Goffus.

Goffus gjatë qëndrimit sot në Kosovë është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmanin.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani në takimin me Ndihmës e Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus dhe delegacionin përcjellës nga NATO dhe KFOR-i, diskutuan për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për deeskalimin e saj.

Presidentja Osmani falënderoi Ndihmës Sekretarin Goffus për vizitën e tij dhe theksoi rëndësinë e pranisë së NATO-s në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Ajo theksoi përkushtimin e thellë të Kosovës për partneritet NATO-n dhe për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.

Presidentja Osmani nënvizoi angazhimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n.

 “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësive tona si një partner i besueshëm i NATO-s, duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale. Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me NATO-n për t`i adresuar sfidat e sigurisë dhe promovimin e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe fuqizimin e sundimit te ligjit. Po ashtu ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, e falënderoi atë për kontributin dhe rolin e domosdoshëm të NATO-s për çlirimin dhe sigurinë e Kosovës. “Kosova me Forcën e saj të Sigurisë, të trajnuar e orientuar nga perëndimi duhet të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s sa më shpejt që është e mundur”, theksoi kryeministri.

Ai e informoi Goffus për kornizën kohore të ngjarjeve nga 5 nëntori i vitit të kaluar kur dhanë dorëheqje të organizuar katër kryetarët në komunat në veri të Kosovës, dhe tha se është i angazhuar për de-eskalim dhe normalizim.

“Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar. Megjithatë, masat negative të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, që ka sanksionuar agresionin rus në Ukrainë dhe që është në harmoni me politikën e jashtme të BE-së, kanë krijuar asimetri në dialog”, theksoi Kryeministri.

Në komunikatë thuhet se Kurti gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i për ngjarjen e 14 qershorit 2023, kur u rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës. Po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave.

Kryeministri ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s, KFOR-in, dhe se ndarja e informacionit dhe koordinimi i mirë duhet t’i kontribuojnë si sundimit të ligjit në veri të Kosovës po ashtu edhe përmirësimit të situatës së sigurisë.

Back to top button