Ndizen qirinj në nderim të jetës dhe veprës së Albright

Në shenjë mirënjohje dhe kujtimi për miken e madhe të Kosovës, ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, para bustit të saj në Prishtinë, sonte u ndezën qirinj.
Nderime për ish-sekretaren Albright bën Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ish-presidentja Atifete Jahjaga, kryetari i komunës së Prishtinës, deputete, përfaqësues të subjekteve politike dhe aktiviste.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha se vlerësojnë shumë njohjen e kontributit të saj për paqe siguri dhe stabilitet në Kosovë.
“Ne emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne jemi të nderuar nga vendimi i presidentes Osmani për ta deklaruar ditë zie, ditën e sotme në nder të sekretares Madeleine Albright. Gjithashtu kam ardhur këtë mbrëmje me ish-presidenten Jahjaga për të kushtuar respekt. Ne jemi mirënjohës për memoriet dhe respektin e kosovarëve për zonjën Albright dhe për se çfarë ka bërë ajo dhe unë mendoj që Kosova është një nga trashëgimit e saj. Jemi të prekur nga të gjitha e gjithë mbështetja e dhënë dhe pikëllimi në përkujtim të sekretares Albright, dhe e vlerësojmë shumë këtë gjest, këtë mbrëmje njëlloj si shumë gjeste tjera nga dita e djeshme dhe njohja e kontributit të saj për paqe siguri dhe stabilitet këtu në Kosovë”, tha ai.
Po ashtu, sonte në sheshin e qytetit në Ferizaj, është bërë ndezja e qirinjve në nderim të jetës dhe veprës së zonjës së hekurt, ish Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të parës grua në krye të diplomacisë amerikane, Madeleine Albright.
Në ndezjen e qirinjve mori pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu me bashkëpuntorët e tij, si dhe qytetarë të shumtë.
Kujtojmë që, Madeleine Albright, gruaja e parë Sekretare e Shtetit në SHBA vdiq më 23 mars, në moshën 84 vjeçare.
Madeleine Albright, e cila shërbeu si Sekretare e Shtetit nga viti 1997 deri në 2001, kishte nxitur zgjerimin e NATO’s drejt lindjes në ish-bllokun sovjetik dhe kishte ndihmuar në udhëheqjen e fushatës së bombardimeve të NATO’s, në vitin 1999 për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë.

Back to top button