Në dy muajt e parë të vitit regjistrohen 92 raste të dhunës në shkolla

Vetëm në fillim të këtij viti janë regjistruar 92 raste të incidenteve në shkolla, ka bërë të ditur Policia e Kosovës. Në bazë të të dhënave në dy muajt e parë të vitit janë regjistruar 32 raste me lëndime të lehta, 6 sulme seksuale, 9 kanosje dhe 4 raste me posedim të armëve të ftohta.

“Qëllimet kryesore që policia ka synuar dhe synon t’i arrijë ndër të tjera janë edhe: krijimi i një klime më të sigurt për nxënësit, personelin arsimor në të gjitha nivelet arsimore, bashkërendimi i aktiviteteve ndër-institucionale, parandalimi dhe zvogëlimi i incidenteve në shkolla dhe objektet ne rrethinën afër shkollave”, ka deklaruar Policia e Kosovës

Por, drejtorët e shkollave në kryeqytet thonë se rastet e dhunës ndërmjet nxënësve nuk janë të rralla. Drejtori i shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gërvalla kërkoi shtimin e bashkëpunimit mes institucioneve shkollë-familje.

“Faktori numër një që ndodhin këto raste është familja, edukata familjare, për arsye që kemi raste të shpeshta që prindërit gjegjësisht familja nuk merret fare me fëmijët. Ata që në fillim indoktrinohen me baza jo të shëndosha sa i përket sjelljes, marrin krahë nga familjarët e tyre dhe atë zell e sjellin në shkollë, konfrontohen me fëmijë të tjerë që ndoshta janë shumë të  edukuar, të kulturuar”, tha Gërvalla.

Drejtori i shkollës “Hilmi Rakovica”, Skender Halmi kërkoi një mbikëqyrje më të  madhe të nxënësve nga vetë familja. Ai gjithashtu tha se pajisja e shkollave me kamera si dhe bashkëpunimi me organet e ndjekjes jep rezultat më të madh.

“Një mbikëqyrje më e madhe nga ana e prindërve te fëmija, një kujdes i shtuar, besoj se do të ndikonte pozitivisht në uljen e dhunës në përgjithësi dhe në uljen e dhunës në shkolla në veçanti… asnjë nga rastet ne nuk i fshehim në mënyrë që shkolla të del me raste më të vogla nuk është kjo qëllimi i shkollës, nuk jemi këtu për t’i fshehur rastet por për ti parandaluar dhe aty ku nuk kemi mundur t’i parandalojmë ti zgjidhim”, deklaroi Halimi.

Për organizatat joqeveritare dhuna në shkolla e të gjitha formave është e pranishme. Rinor Qehaja nga Instituti Ed Guard ka kërkuar një bashkëpunim më të madh ndërmjet prindërve, psikologëve dhe mësimdhënësve për të adresuar problemet me të cilat përballen nxënësit.

“Zgjidhja e problemit nuk është e kufizuar vetëm me prezencë të policisë në shkolla por zgjidhja e problemit ka të bëjë me një vetëdijësim të komunitetit, me psikolog super aktiv, mësimdhënës të përkushtuar në mënyrë që të targetojnë ato trajtat e ndryshme të dhunës  për secilin rast individualisht. Nuk është që me prezencën e rritur të sigurisë mund të rrisim sigurinë emocionale të nxënësve, mund të rrisim sigurinë fizike të tyre por jo të garantojmë mirëqenien emocionale të tyre”, tha Qehaja.

Sipas të dhënave të policisë, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 600 raste të dhunës në shkolla, prej tyre 14 janë për posedim të armës së zjarrit ndërsa 46 janë sulme seksuale./21Media

Back to top button