Në Malishevë u përkujtuan dëshmorët Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot në 32 vjetorin e rënies, janë përkujtuar dëshmorët e kombit Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu, të cilët ranë më 30 dhjetor të vitit 1990, në qendër të Malishevës, gjatë protestave të atij viti, kundër regjimit.
Në këtë përkujtim, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, këtë ngjarje e ka vlerësuar si “një ngjarje e kthesave të mëdha historike, pasi për herë të parë në vendin tonë, në mënyrë institucionale u reagua ndaj dhunës, vrasjeve dhe gjenocidit që ushtrohej ndaj shqiptarëve”.
Kastrati ka shtuar se kjo datë ka rëndësi për komunën e Malishevës sepse 32 vjet më parë gjatë protestave ranë dëshmorë, Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu. Nga rënia e tyre, Malisheva e ka bartur flakadanin e aktivizimit patriotik, si në institucione, ashtu edhe jashtë tyre
“Kjo ngjarje ka shënuar edhe rezistencën e fortë institucionale, pasi Komuna e Malishevës, si institucion dhe deputetët tanë në Kuvendin e Kosovës, bën rezistencë të fortë, lidhur me këtë vrasje dhe vrasjet tjera”, tha Kastrati, duke i përmendur me emra protagonistët e asaj kohe, Daut Krasniqi, kryetar i Komunës, pastaj deputetët Xhemajli Bajra, Halit Kryeziu, Selim Krasniqi dhe të tjerët, që me forcë kundërshtuan dhe reaguan ndaj situatës.
Në 32-vjetorin e rënies së dëshmorëve, Ali Kryeziu dhe Hysni Mazreku, janë bërë nderime dhe homazhe në vendin e rënies, në ”Sheshin e Dëshmorëve” në Malishevë dhe më pas në varrezat në Malishevë dhe Bubavec./21Media