Në mungesë të ujit improvizojnë çezma

Në Tetovë të Maqedonisë kanë probleme me ujë

Fuçi plastike të mbushura me ujë dhe të vendosura para dyerve të shtëpive. Kjo është mënyra e vetme që banorët e lagjes Koltuk të Tetovës të improvizojnë çezma me ujë. Terpez Simjanovski  thotë se kur vjen uji në ato pak minuta, detyrohen të mbushin ujë në shishe plastike dhe shton se shishe të mbushura me ujë ka gjithandej shtëpisë së tij.

“Ejani dhe shikoni shishet me ujë, të gjitha këto shishe janë të mbushura me ujë. Ne i paguajmë të gjitha faturat dhe përsëri nuk kemi ujë. se çfarë po punohet nuk e dimë se ku qëndron problemi”, tha Terpez Simjanovski.

“Kur nuk kemi ujë në çezmë unë përdori ujin që e mbushi. Tani që s’kemi ujë nuk mund as ti lajmë enët dhe as të lahemi vetë për shkak se nuk mund ta përdorim as bojlerin. Jemi duke jetuar në kushte sikur para disa shekujve”, tha Zagorka Simjanovski.

E ky problem është i përditshëm për banorët e kësaj lagjjeje.

Nga ana tjetër, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi këtë javë prezantoi përfundimin e e punimeve për gypin e fundit të ujit prej 9 kilometrave, që me këtë i jepet fund rregullimit të rrjetit të ujësjellësit.

Sipas saj, projekti për vendosjen e gypave të ujit në gjatësi prej 9 kilometrave ka kushtuar 2 milionë euro, kurse edhe për stacionin e filtrimit të ujit, shuma do të jetë po ajo. Mjetet financiare për realizimin e projektit final sigurohen me anë të kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.  Pas vendosjes dhe vënies në funksion të  stacionit filtrues, nga komuna thonë se do të rritet kapaciteti i furnizimit me ujë në qytet edhe për 220l/sek, me çka pritet të përmbyllet përfundimisht kapitulli 20 vjeçar i mungesës së ujit të pijshëm për qytetarët e Tetovës, raporton Tv21./21Media

Back to top button