“Ne nuk kemi luks”, Gashi: Energjia dhe gazi, çështje strategjike për sigurinë e Kosovës

(Lajm i përditësuar)
“Ne nuk kemi luks”, Gashi: Energjia dhe gazi, çështje strategjike për sigurinë e Kosovës
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Arben Gashi në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se Kosova duhet të forcojë orientimin e saj strategjik drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e energjisë dhe projekteve infrastrukturore.
Ai përmendi një marrëveshje të arritur në SHBA në vitin 2020, duke theksuar rëndësinë e saj për pozicionin strategjik të Kosovës.
“Ka një marrëveshje që është arritur në SHBA në vitin 2020, një nga pikat parasheh edhe gazin, dhe për interesa strategjike do të thotë shumë. Kosova mbetet si pikë strategjike dhe investim strategjik amerikan, është siguri ekzistenciale për Kosovën,” u shpreh Gashi.
Ai shtoi se Kosova nuk ka luks të mbajë politika të balancuara mes fuqive të mëdha, por duhet të orientohet qartë.
“Ne nuk kemi luks, nuk duhet me qenë preferencë as e Rusisë e as e Kinës. Na duhet strategjikisht me u lidh me këtë gaz, jo që përfitojmë ne diçka nga Amerika, por sepse është nyje lidhëse e Kosovës,” tha ai.
Gashi theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve energjetike në vend.
“Gjashtë vjet për prodhimin e kapaciteteve të reja energjetike. Energjia për ne është gjithçka, por në këtë rast një gaz që kalon nga ne është si një autostradë gazi që kalon nëpër vendin tonë dhe ne vetëm përfitojmë nga pozicioni strategjik,” u shpreh ai.
“E kemi humbur orientimin”, Gashi: Njerëzit po ikin nga vendi sepse është bërë situatë toksike
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Arben Gashi në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se vendi ka nevojë për programe dhe ekipe të jashtëzakonshme për qeverisje, duke kritikuar ashpër mënyrën aktuale të zhvillimit të debatit politik.
”Jo me shku me ‘ai po shan më shumë, ai po rren më shumë, ai po përdor një fëmijë’. Me dalë me britmë për një fëmijë ‘Albin baba, Albin baba’ është e papranueshme,” u shpreh Gashi ndër tjera.
Ai theksoi se situata politike në vend është bërë e padurueshme dhe po ndikon në rritjen e emigrimit.
“Njerëzit po ikin nga ky vend sepse është bërë situatë toksike dhe kjo po ua pamundëson qytetarëve dëshirën me jetu në Kosovë. E kemi humbur orientimin. Na duhet me pa qysh prej të hënës me e bë jetën më të përballueshme në Kosovë,” shtoi ai.
“VV duhet me shku në opozitë”, Gashi: Dështim në çdo sektor
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Arben Gashi në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të jetë më në qeverisje dhe se, sipas tij, ka dështuar në disa sektorë të rëndësishëm.
“Nëse ne jemi të parët, VV duhet me shku në shtëpi. Ka qenë e pafat me qeverisje, mendojmë që ka qenë e pafat për zhvillimin e ekonomisë, kulturës,” u shpreh Gashi.
Ai shtoi se Vetëvendosje nuk përbën preferencën e parë për qeverisje dhe se koncepti i saj për shtetin është problematik.
“Nuk është preferenca e parë e Lëvizjes Vetëvendosje për qeverisje. Kemi thënë: okej, nëse koncepti i tyre për qeverinë dhe për shtetin është problematik,” tha ai.
Gashi theksoi se, sipas tij, qeverisja gjashtëvjeçare e VV-së nuk ka sjellë rezultate të mjaftueshme.
“Gjashtë vjet me qeverisje të VV-së, dështim në çdo sektor. Jemi të detyruar të kuptojmë që VV duhet të shkojë në opozitë, të reflektojë dhe të mbyllë ciklin e pjekurisë politike për të kuptuar realisht shtetin,” u shpreh ai.
Gashi: Kosova po mbetet jokonkurruese, mungon vizioni politik
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Arben Gashi, ka deklaruar se në politikën kosovare po mungon pjekuria politike dhe një vizion i qartë për zhvillimin e vendit.
“Kishim mungesë pjekurie politike, mungesë vizioni se çfarë Kosove duam. Çka do me bo me 60%, ku është dallimi në jetën e qytetarëve? Çka ke bërë, o zotëri? Nuk ka asnjë parti politike që ka një referencë, dhe VV ka një referencë më të gjatë dhe me më pak suksese, asnjë sukses. Jemi duke mbetur jokonkurrues në rajon, në gjithçka jemi duke mbetur jokonkurrues,” u shpreh Gashi.
Ai shtoi se në politikë nuk është e shkruar askund që vendimmarrja të mbetet e pandryshuar dhe se çdo gjë duhet të varet nga rezultatet.
“Nuk është e shkruar askund që nuk ndryshohet ajo. Ne shkojmë me një ofertë për presidentin dhe kryeministrin, gjithçka varet nga rezultatet. Ne duhet të arrijmë kompromis për këto dyja nëse hyjmë në qeveri. Kompromisi nuk është që unë i dua të gjitha dhe hajde bisedojmë për çfarë,” tha ai.
Gashi: Të dielën gjithsecili duhet të zgjedhë çfarë Kosove do
Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi në ”Click” të RTV21 ka theksuar nevojën për dialog dhe bashkëpunim politik, duke thënë se refuzimi i komunikimit mes partive nuk duhet të ndodhë.
“Patjetër që duhet të ulemi të bisedojmë. Nga dhjetori e tutje ka pasur diskutime dhe takime dhe është kuptuar që nuk duhet të ndodhë refuzimi. Duhet të ulemi e të flasim, sepse ajo është gjeneza e LDK-së. Kemi mbërritur në një pikë ku është gabim të mos flasim,” u shpreh Gashi.
Ai kritikoi gjithashtu situatën politike në vend, duke përmendur pasojat e zgjedhjeve të shpeshta dhe mungesën e stabilitetit institucional.
“Duhet të kuptojmë çka do të thonë pesë palë zgjedhje brenda një viti e gjysmë. Për dy vite në Kosovë nuk investohet, nuk publikohet dhe nuk menaxhohet,” tha ai.
Gashi theksoi se, sipas tij, politika duhet të fokusohet në interesin shtetëror dhe jo në ambicie personale.
“Nuk po e kuptojnë esencën e shtetit. Janë bërë në politikë për të realizuar ego personale. Albin Kurti ka qenë gjashtë vjet kryeministër, pse duhet të jetë edhe katër vjet tjetër?”, deklaroi ai.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve për vendimmarrje të përgjegjshme.
“Gjithsecili në Kosovë të dielën duhet të zgjedhë çfarë Kosove do,” përfundoi Gashi.
“Kosova në rrugë të gabuar”, Gashi kërkon kthim te bashkëpunimi politik
Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se vendi po përballet me përplasje të panevojshme politike dhe se fushata zgjedhore duhet të fokusohet në kërkimin e besimit të qytetarëve, analizën e qeverisë dhe prezantimin e programeve.
“Rezultati është i keq, sepse Kosovën po e kthejnë në një vend që ka përplasje të panevojshme. Në fushatë duhet të dilet për të kërkuar besimin e qytetarëve, për të bërë analizë të qeverisë dhe për të paraqitur programin,” u shpreh Gashi.
Ai foli edhe për përvojën e tij katërvjeçare në qeverinë Kurti, duke theksuar rolin institucional të opozitës në atë periudhë.
“Kam qenë anëtar i grupit për katër vite në qeverinë Kurti. Ne kemi qenë gardianë kushtetues, kemi dërguar dhjetëra ligje në Gjykatë dhe i kemi fituar. Nuk kemi bërë bllokada në vitin 2021 për presidentin,” tha ai.
Sipas Gashit, opozita në atë periudhë ka luajtur rol të rëndësishëm përballë një qeverie me shumicë të qëndrueshme parlamentare.
“Opozita më e mirë që është bërë në historinë e Kosovës, përballë një qeverie me 58 deputetë të një partie, nuk ka qenë e lehtë. Prej shkurtit deri në dhjetor ka pasur një situatë bllokimi dhe mungesë konsistence në Kuvend,” u shpreh ai.
Në fund, ai theksoi nevojën për dialog dhe bashkëpunim politik.
“Na duhet një politikë bashkëpunuese, një politikë ku flasim mes vete. Nuk po them që duhet të pajtohemi, por duhet të flasim, sepse nuk kemi rrugë tjetër,” tha Gashi.
Gashi: Rikthimet në LDK janë të mirëseardhura
Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi, ka deklaruar se vendi ka nevojë për një Lidhje Demokratike të Kosovës të fortë dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve.
“Kosova ka nevojë për një LDK të vërtetë, një LDK e cila është e përgjegjshme përballë qytetarit. Këto vite të fundit kemi parë një LDK më të dobët dhe, fatkeqësisht, për pasojë të një LDK-je të dobët kemi pasur edhe një Kosovë më të dobët. Kemi pasur një Kosovë në të cilën politika ka dëmtuar raportet ndërkombëtare”, u shpreh Gashi.
Ai shtoi se bashkimi dhe rikthimi brenda partisë janë të mirëseardhura, por theksoi nevojën për kthim te vlerat autentike të LDK-së.
“Bashkimi, ardhja dhe rikthimi janë të mirëseardhura dhe besoj se do të sjellin rezultate pozitive, por megjithatë na duhet kthimi i vlerave autentike të LDK-së. Na duhet një Kosovë që zgjedh, e jo një Kosovë që vetëm voton”, tha Gashi
Gashi: LDK po i mungon Kosovës
Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi, ka deklaruar se beson në një qasje politike të bazuar në dialog, kompromis dhe bashkëpunim institucional.
Në emisionin “Click” në RTV21, Gashi tha se LDK duhet të rikthejë, sipas tij, frymën autentike të saj si parti që ndërton ura bashkëpunimi.
Sipas tij, Kosovës i nevojitet përmbyllja e fazës së tranzicionit dhe kalimi drejt një shteti të konsoliduar demokratik, ku dialogu dhe bashkëpunimi janë elementë kyç të funksionimit politik.
“Jam një person i cili beson në një politikë ndryshe, besoj në një koncept që është autentik i LDK-së, besoj në kompromis dhe dialog. LDK po i mungon Kosovës, një LDK që bisedon dhe që bashkëpunon. Kosova ka nevojë ta përmbyllë fazën e tranzicionit, ta fusë Kosovën në një Kosovë të konsoliduar – një politikë që bashkëpunon, një politikë që ka dialog, një demokraci konsensuale”, tha Gashi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?