Në qershor maturantët në Kosovë i nënshtrohen testit

Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në Kosovë, për portalin rtv21.tv ka thënë se Provimi i Maturës Shtetërore 2022 do të mbahet më 18 qershor.
Kjo ministri tutje për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se provimi do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët.
Zëdhënësja e MASHTI-t, Iliriana Pylla ka thënë se rreth 24 mijë maturantë do t’i nënshtrohen Provimit të Maturës sivjet, por sipas saj mund të ketë edhe një numër nxënësish nga vitet e kaluara që nuk kanë kaluar provimin e maturës apo nxënës që vijnë nga jashtë Kosovës.
“Testi i sivjetëm i maturës shtetërore është planifikuar të mbahet më 18 qershor 2022. Numri i maturantëve është rreth 24.000. Testi do të organizohet vetëm brenda një dite dhe përmban 4 lëndë siç janë: 3 të përgjithshme Gj. Ametare, Gj. Angleze, Matematikë, kurse lënda e katërt është lëndë zgjedhore”, ka thënë Pylla për rtv21.tv duke shtuar se mësimdhënësit tashmë veç kanë filluar të përgatisin nxënësit për testin e maturës.
Në të kaluaren, testi ka ndodhur të shpërndahet edhe nëpër rrjetet e ndryshme sociale në internet. Lidhur me këtë MASHTI ka treguar se çfarë do të ndërmerr që të eliminojë parregullsitë e vazhdueshme që kanë përcjellë këtë projekt.
“Nxënësit e kanë të ndaluar të marrin me vete telefon, apo cka do qoftë që mund të përdoret për komunikim, qasje në internet, fotografim, kopjim, shpërndarje apo për ndihmë tjetër gjatë mbajtjes së Testit. Kushdo që merr me vete pajisje apo mjete të tilla nuk do të lejohet të futet në Qendrën e Testimit”, ka thënë Pylla.
MASHTI nuk ka treguar se sa administrues do të angazhohen për mbarëvajtjen e testimit.
Testit shtetëror të maturës, iu nënshtrohen çdo vit nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të, dhe arritja e rezultateve të kërkuara mundëson aplikimin për regjistrim në universitet./21Media

Back to top button