Në tremujorin e dytë banesat shënuan rritje të çmimit prej 16,5%

Në tremujorin e dytë të këtij viti, banesat janë shtrenjtuar për 16.5%, që sipas të dhënave të Bankës Popullore të RMV-së, është rritja më e madhe deri më tani. Kjo rritje çmimesh vjen për shkak të shtrenjtimit të materialit ndërtimor, shpjegoi Andrea Serafimovski nga Shoqata e Ndërtimtarisë pranë Odës Ekonomike. Ai shtoi se nuk mund të presin të ulet çmimi i banesave, por mund të ketë vetëm stabilizim të çmimit, i cili do të jetë real dhe do ta reflektojë atë që mund ta paguajnë qytetarët për t’i mbuluar shpenzimet dhe për të përfituar investitorët.

“Tendenca e rritjes së çmimeve dhe kostos për ndërtim vazhdon të rritet. Materialet e nevojshme për ndërtim kanë shënuar rritje tepër të madhe. Çmimi i materialit, druri është dyfishuar, kompensata njësoj, betoni është për 50% më i shtrenjtë për shkak të rritjes së çmimit të çimentos, e mos të flasim për konstruksionet prej çeliku. Profilet e çelikut janë shtrenjtuar trefish, çmimi i çelikut të zakonshëm është rritur për dyfish”, tha Andrea Serafimovski, kryetar i shoqatës së ndërtimtarisë.
Por, nga ana tjetër, edhe përkundër fuqisë së reduktuar blerëse të qytetarëve, krizës ekonomike dhe paralajmërimeve për rritjen e normave të interesit, interesi për blerjen e apartamenteve nuk ka të ndalur, por shtohet gjithnjë e më shumë, thanë nga agjencitë për patundshmëri. Sipas tyre, problemi është oferta. S’ka banesa të mjaftueshme për shitje, prandaj Shkupi s’mund t’i kënaqë nevojat e qytetarëve për blerje të apartamenteve.
ÇMIMI I BANESAVE NË SHKUP:
Komuna Qendër – nga 1500 deri në 2100 euro
Karposhi – nga 1350 deri në 1600 euro
Aerodromi – nga 1300 deri në 1500 euro
Kisella Vodë – nga 1250 deri në 1400 euro
Gjorçe Petrovi – nga 950 deri në 1100 euro
Çairi – nga 950 deri në 1100 euro
“Oferta është katastrofë. Kjo për shkak të disa faktorëve që u shfaqën në Shkup. Komuna Qendër kishte një moratorium për 4-5 vjet. PDU-ja në Karposh ra, 4-5 vjet me radhë nuk u votua PDU-ja e re. Automatikisht, lagjet në të cilat ka kërkesë më të madhe për banesa, nuk kanë banesa. Aerodromi kishte apartamente, por të gjithë ata që nuk arritën të gjejnë, u riorientuan këtu dhe nuk ka apartamente. Nuk ka ofertë, kurse kërkesa është tejet e madhe”, pohoi Dejan Hriston, pronar i një Agjencie për Patundshmëri.
Apartamentet në lagjet më tërheqe siç janë Aerodromi, Qendra dhe Karposhi nuk presin për t’u shitur as dy ditë, tregon Hristovi. Sipas regjistrimit të Entit Shtetëror për Statistikë, prej gjithsej 839.174 banesa, 63,4% tashmë janë të banuara, kurse 307,187 ose 36,6 % janë të pabanuara, raporton TV21./21Media

Back to top button