Një vizitë e bërë por e papërfunduar në Hagë, 26-28 qershor 2022

Opinion nga Selman Ymeri
Ishte një propozim pothuaj në fillim të këtij viti kur në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, u ngrit çështja e realizimit të një vizite të paraburgosurve nga Kosova, në Qendrën e Parburgimit QP në Hagë.
Si shumë herë në periudha të caktuara historike të organizimit tonë shoqërore e institucional, por jo vetëm, pas shumë vonesave të pashpjegueshme, ky udhëtim u realizua me dt. 26 qershor 2022.
Më 6 qershor 2022, bashkë me formularët e plotësuar, 5 deputetë dhe unë në cilësinë e koordinatorit të Komisionit Pralamentar, dërguam kërkesë në Njësinë përkatëse të QP-së në Hagë, për t’i vizituar të gjithë të paraburgosurit: Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala.
Me dt. 21 qershor 2022, nga Njësia përkatëse e QP-së, pranuam konfirmimin, se, ashtu siç kishim kërkuar, mund të vizitonim të paraburgosurit, por në atë konfirmim të QP-së në Hagë për lejimin e vizitave nuk bënte pjesë emri i z. Sali Mustafa.
Poashtu, në atë konfirmim, na ishte caktuar termini i takimeve me 7 nga të paraburgosurit, me secilin nga ta, veç e veç, në kohëzgjatje nga 1 orë.
Gjëja e parë që më ra në sy nga komunikimi përmes e-mailave, ishte se, nuk kishte emër të përveçëm që mirrej me këto komunikime, por ishte evidentuar vetëm emri i Njësisë përkatëse.
Në atë çast të pranimit të e-mailit në fjalë, thash me vete, po pse vallë, athua nuk ka emër zyrtari kompetent, shefi apo drejtori, i cili dërgon këto e-maile, çfarë ka këtu për tu fshehur?
Në ato çaste më vërtitej në ndërdijen time, se, kur përmendet emri i Dhomave të Specializuara, më dalin para syve skenarët më të errët dhe më të papastërt, si kundërpeshë ndaj sakrificës sublime ndaj njerëzve të zot të Kosovës, ndaj kauzës çlirimtare dhe ndaj krijimit dhe ndërtimit të themeleve të shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Në të njejtën kohë, sikur mundohem t’a sqaroj vehten time: Po, Serbia pas humbjes së luftës juridike dhe të humbjes së një beteje shumë të rëndësishme në aspektin diplomatik, që mori nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë GJND, se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ajo (Serbia) do të vazhdojë me çdo lloj goditje të mundshme dhe të ulëta shtetin e Kosovës.
Mobilizimi i fortë i diplomacisë serbe, i mbështetur edhe nga faktori rus, arriti të prodhojë për fat të keq të Kosovës, një monstrum zvicerian të quajtur Dick Marty.
Dhe, për të qenë ironia më e madhe, ata zgjodhën edhe institucionin më të duhur për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut – Këshillin e Evropës, për ta promovuar këtë raport famëkeq dhe të shpifur.
Dhe, si rëndom “drejtësia evropiane”, edhe këtë herë karshi Kosovës, u tregua konfuze, e papastërt, e gatshme për të goditur, madje deri në kufijt paragjykues.
Madje, ajo u tregua dyftyrëshe, u tregua që luan me dy apo me shumë standadrde, karshi kauzës sonë çlirimtare.
“Argumente” të trilluara le të bëhen sa më shumë, se pastaj edhe mjegulla krijohet më e madhe, dhe, sipas kësaj logjike, kërkohet më shumë kohë për t’u hequr kjo mjegull, dhe, mbase deri atëherë edhe “misioni i drejtësisë evropiane” do të përmbushej, pavarësisht argumenteve juridike dhe tregimit për të vërtetën dhe për luftën çlirimtare.
Po, pse po çuditem, e pyes veten, marrë edhe hisorikisht Evropa plakë, qëndron edhe sot, pak a shumë, në atë nivel të politikave të drejtësisë apo drejtësisë në politikëbërje.
Seç mu kujtua Srebrenica, a u shkaktua masakra më e madhe pas luftës së dytë botërore, në prani të forcave që fatkeqësishsht quheshin paqëruajtëse, që përbëheshin nga ushtarë të shtetve të Evropës.
Më pas, mu kujtua viti 2018, kur të gjithë përfaqësuesit zyrtarë më lartë të Bashkimit Evropian, deklaronin, se posa të arrihet miratimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, do të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës….
Mjaft, i thashë vetes, këto argumente të pashlyeshme historike i kemi në anën tonë, por pse po mbetemi të pafuqishëm në aspektin diplomatik, pse nuk po gjejmë forma dhe mënyra që këto të vërteta historike të së kaluarës sonë të dhimbshme, t’i plasojmë në opinionin demokratik ndërkombëtar, në Evropë dhe gjithandej globit.
Sot ka ndryshuar bazamenti juridik i Raportit të Dick Marty, dhe ne heshtim. Monstrumin sot po e ruan policia speciale e shtetit Zvicerian.
Po, ne si shtet, a duhet të shtrojmë kërkesa zyrtre dhe të argumentaura, ne kemi të drejtë t’i bëjmë pyetje qeverisë Zviceriane se nga kush po e ruan policia e Zvicrës Dick Martyin dhe pse po e ruan.
Kosova i ka themeluar me ligj Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Institucionet e saj kompetenete, kanë të drejtë t’a kontestojnë përmes fakteve juridike, raportin e Dick Marty-t, dhe kjo nuk është ndërhyrje në punën e gjyqësorit, por është kërkesë për mbikqyrjen e zbatimit të ligjit, ashtu siç ka të drejtë çdo Parlament ta mbikqyrë zbatimin e çdo ligji që e ka miratuar, kjo e drejtë i takon edhe Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Fundja, aktakuza është politike, dhe ne kemi të drejtë që me mjete diplomatiko-politike t’a kontestojmë themelësinë e një raporti të falsifikuar dhe të porositur, çfarë është ai i Marty-t.
Por, “drejtësia evropiane“ nuk po don trasnsaparencë.
Për shkak se treguan njëlloj transparence për letrat e aktakuzës, pikërisht, kjo “drejtësi evropiane“ i dënoi në procesin fillestar gjyqësor z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj me nga 4.5 vite burg.
Kështu foli “drejtësia evropiane“ për këta dy çlirimtarë.
Mesazhi i persekutorëve të pretenduar, është shumë i qartë, nuk mund të bëni transparencë pa marr lejen tonë, sepse “drejtësia evropiane“ mundet të ju dënojë, edhe “di” të ju dënojë, edhe ju dënon …. madje …. Madje, këtë denim e shkruajmë “ Në Emër të Popullit “.
Me këto, dhe një million mendime të ngjashme si këto, me padurim po prisja datën e 27 qershorit, ditë kjo kur do t’i takoja çlirimtarët e izoluar në Hagë.
Çdo minutë që kalonte, emocionet dhe ndjenjat njerëzore vinin gjithnjë duke u rritur, përkundër mundit që së jashtmi të reflektoj njëlloj qëndrimi më të ftohtë dhe konstant.
Udhëtimi filloi në ora 3:30 para mëngjesit, të ditës së diele, dt. 26 qershor 2022, kohë kjo kur u nisëm nga sektori i transportiti të Kuvendit të Kosovës.
Aeroplani i linjës Prishtinë Vjenë po përshkonte me shpejtësi qiellin e Kosovës.
Në aeroportin e Vjenës kishim më pak se një orë në dispozicion për t’i kryer procedurat e kontrollit dhe për fat të mirë këtë gjë e arritëm me sukses të lartë, falë edhe ecjeve të shpejta që bëmë, e nganjëherë edhe vrapit që i’a merrnim.
Përsëri në mendjen time, më vardiseshin miliona mendime.
E po, i thash vetes, ky sistem kërkon ecje të shpejtë por edhe vrapime, po çfarë ka të keqe, s’prish punë a je në Vjenë, Amsterdam, Hagë, Londër apo Paris, sistemin duhet krijuar dhe duhet përmbajtur, përndryshe humbet hapi.
Përfundon fluturimi Vienë – Amsterdam, tani nuk ngutemi, duhet pritur valixhet disa minuta dhe vazhdojmë.
Në dalje të aeroportit të Amsterdamit, na priti z. Arifi nga Ambasada e Kosovës në Hagë, një burrë pedant dhe i buzëqeshur.
Menjëherë, e ndiem dorën e shtetit, sado e vogël apo e madhe të jetë ajo dhe pa marrë parasysh se në çfarë forme ofrohet.
Arifi në bisedë e sipër na tregoi se është edhe diplomat i karierës, por që sot ishte edhe në rolin e vozitësit të ambasadës sonë në Hagë.
Në rregull, mendoj me vete, pa bërë pyetje të tjera, ambasada e Hagës në këto kohë është më e ngarkuar dhe mbase në mungesë të përfshirjes me kapacitete të plota, edhe kjo mund të merret normale – edhe diplomat edhe vozitës. Mbase, nuk është e lehtë të ndërtosh sistem diplomatik efikas dhe shumë funksional, them me vete.
Pas vendosjes në hotel në Hagë, takimi i parë joformal është me ambasadorin e Kosovës në Hagë z. Dren Doli dhe bashkëpunëtorët e tij, në një kafiteri afër hotelit, në qendër të qytetit.
Gjatë gjithë kohës së këtij takimi, biseda dominohet në brengat dhe çështjet që lidhen me padrejtësitë që iu bëhen të paraburgosurve tanë me rastin e zvarritjes së procesit të gjykimit.
Dikush nga ne e pyeti, a lejohet të kemi ndonjë fletore xhepi me vete, dhe menjëherë mësuam se asgjë me vete nuk lejohet.
Mendova me vete, kjo për mua si person i vetëm nga administrata e Kuvendit të Kosovës në këtë vizitë, do të mund të paraqet një hendikep, sepse momentet dhe bisedat më interesante, zakonisht i evidentoj përmes lapsit dhe fletores.
Të hënen, më 27 qershor, si zakonisht gjumi më doli shumë heret, duhet përgatitemi që në kohën e caktuar të jemi te QP-ja.
Në kohën e duhur, nga ora 8:30, vozitësi nga ambasada jonë na pret para hyrjes së hotelit, (i kërkoj falje që për momentin harrova emrin e tij), përshëndetemi me te dhe menjëherë biseda lidhet me të paraburgosurit.
Pasi nisemi, na tregon se dita e tij e punës ka filluar para disa orëve, isha në aerportin e Dyseldorfit për t’i marrë familjarët e z. Nasim Haradinaj, thotë ai.
Ai ishte nga Prishtina dhe me një dozë të theksuar besimi më thotë; më me dëshirë do të kthehesha në çfarëdo pune në Prishtinë, se sa këtu në Hagë.
Interesohem të mësoj për shkaqet e kësaj “dëshire“ të tij dhe pa ngurrim ma thotë se për shkaqe emocionale të familjarëve të njerëzve tanë që gjenden në QP, po e ndiej veten gjithnjë me emocione, po ndihem i prekur në shumë mënyra.
Më preku jashtëzakonisht kjo përgjigje e tij, thashë me vete, këto janë tramua që njrëzit përjetojnë sot, në mënyra të ndryshme.
Aty përshëndetemi edhe me dy vëllezërit e Rexhep Selimit, të cilët do të vizitonin vëllanë e tyre këtë paradite.
Nga hoteli deri tek qendra e paraburgimit ka diku 5-6 minuta rrugë me automobil.
Shpejt, parkohet vetura dhe para hyerjes së objektit, përshëndetemi me familjarët e z. Nasim Haradinaj, bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Nga biseda e rastit, mbes i befasuar për qëndrimin dhe vullnetin e çeliktë që i karakterizon këto dy zonja.
“Ne jemi mësuar tashmë me vizita të tilla. Edhe Nasimin dhe shokët e tij do t’i gjeni në gjendje të mirë shëndetësore dhe me një humor shumë të mirë”, na thotë bashkëshortja e Nasimit.
Na erdhi radha që të “ç’armatosemi“ nga sendet e palejuara, jemi në procedurë të kontrollit të plotë – fizike dhe përmes skanerëve.
Mësojmë se ky është kontrolli i parë, na pret edhe i dyti, kështu qenka rregulli i kësaj qendre paraburgimi.
Pas përfundimit të kontrollit të parë ecim këmbë të shoqëruar nga gardianët, pak minuta deri te objekti tjetër, aty ku mbahen çlirimtarët tanë.
Pas hyrjes në objektin tjetër, fillon procedura e kontrollit të dytë, aty, pas verifikimit të pasaportave dhe të listave që policët në sportel mbanin para vetes, kalojmë më shpejt se tek kontrolla e parë.
Në komunikimet e ndërsjella policëve / guardianëve me parsonat tjerë të QP-së, që na shoqëronin nga hyrja tek objekti i parë, dëgjohen disa herë fjalët në gjuhën angleze – human rights, – human rights.
Gardiani që na shoqëronte na dërgoi në dhomën e takimit.
Ishte një dhomë e vogël, ndoshta e përmasave 3,5 x 2,5 m.
Posa ulemi vjen një gardian dhe na thotë se është kërkesa e z. Jakup Krasniqit dhe e z. Hashim Thaçi, që takimin me ne ta zhvillojnë bashkarisht, në të njejtën kohë.
Pas këtij konfirmimit, menjëherë në dhomën e takimit hyjnë z. Krasniqi dhe z. Thaçi.
Përshëndetemi me të dytë veç e veç dhe ulemi, por ashtu siç e do tradita shqiptare, duke i dhënë përparësi moshës, gjinisë femërore, etj.
Pasi ulemi, na pyesin lidhur me udhëtimin, pritjet në aeroport e kështu me radhë … dhe pyetja dominante ishte – Si e kemi Kosovën?
Sikur donin ta dëgjonin nga ne, çdo detaj të përgjigjes në pyetjen e lartpërmendur – Si e kemi Kosovën?
Shumë e kuptueshme kjo, njerëzit që sakrifikuan shumë për Kosovën, kanë mendjet e tyre tek Kosova dhe njerëzit e saj.
Rendi e deshti që Baca Jakup, t’a marrë fjalën i pari dhe të tregojë për peripecitë e rrugëtimit, të çlirimit dhe të bërjes së shtetit të Kosovës.
Përmend disa nga ngjerjet historike që mbeten përjetë në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Në fund ndalet te lufta e UÇK-së.
Qëndrimin në burgun e Hagës nuk e sheh në asnjë mënyrë si çështje personale.
Nuk është gjë e mirë për shtetin e Kosovës aktakuza e ashtuquajtur mbi ndërmarrjen e përbashkët kriminiale, madje është etiketa më e rëndë e pretenduar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ky pretendim ka për qëllim dëmtimin e imazhit të Kosovës dhe të luftës çlirimtare, nuk e kam hallin personal, e rithekson me një vendosmëri dhe bindje të palëkundur.
Në vazhdim Baca Jakup, e përmend një krahasim interesant, thotë se mund ta mendoni edhe ju, edhe çdo qytetar i Kosovës.
Përderi sa flet me një qetësi të paparë dhe herë herë me buzëqeshje, thekson se, nëse i referohemi zhvillimeve të deritashme, ka tendenca që ky proces gjyqësor, të tejkaloj çdo lloj të kufijve të mundshëm, kur dihet e dhëna, se, nëse krahasohet me proceset gjyqësore për të akuzuarit nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, për nga koha e zgjatjes, procesi gjyqësor i tanishëm, pretendohet të zgjasë, sa të gjitha proceset gjyqësore sipas Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, të cilat përfshinin luftërat në Kroaci (1991 – 1995), Bosnjë e Hercegovinë (1992 – 1995), Kosovë (1998 – 1999) dhe Ish – Republikën Jugosllave të Maqedonisë (2001).
Edhe z. Thaçi në fjalën e tij shprehet plot siguri, vullnet dhe elan për t’u përballur me këtë padrejtësi dhe për të dalur faqebardhë.
Vetë përpjekja e popullit të Kosovës për çlirim është faqebardhë, është fisnike, përpjekje e natyrshme për ta çliruar vendin tënd dhe për ta bërë shtetin tonë, që na e mohuan ndër shekuj.
Kauzat çlirimtare historikisht, kanë edhe sfidat e veta dhe mjaft shpesh varen edhe nga pozita e raporteve ndërkombëtare.
Atë që duhet demaskuar fuqishëm, me të gjitha argumentet që janë në anën tonë, është ndërmarrja e përbashkët kriminale. Kjo na bën dëme të gjithëve, popullit të kosovës, shtetit tonë dhe së ardhmes së vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Në këtë aspekt, duhet shtruar domosdoshmërisht disa pyetje: ku jemi ne, pse po lejojmë heshtjen dhe nuk po i artikulojmë një mori argumentesh, kush para neve duhet t’i shpreh ato kudo në botë.
Dalëngadalë merr fund takimi me z. Krasniqi dhe me z. Thaçi, duke përsëritur fjalinë e theksuar disa herë se asgjë nuk kërkojmë më shumë se zbatimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në këtë proces.
Edhe takimi me Rexhep Selimin ishte shumë i përzemërt, ai hyri në dhomën e takimit me shumë disponim dhe me shumë buzëqeshje. Pasi përshëndetemi, vazhdojnë bisedat, shumë spontane dhe shumë të çiltërta.
Natyrisht, brengë e pashmangshme është tendencat e aktakuzës ndaj kauzës çlirimtare, kjo na bën të ndjehemi jo mirë të gjithëve, pavarësisht bindjeve dhe pozicionit politik. Për këtë do të qëndrojmë dhe do të mundohemi të dëshmojmë deri në fund, sepse argumentet janë në anën tonë.
Në takim me Rexhën, një pjesë e mirë e kohës kaloi duke folur për pikturën. Ai na tregoi se me këtë zanat ishte marrur edhe më parë, por edhe gjatë kësaj kohe sa ishte atje, po merrej mjaft intenzivisht me pikturim. Brenda kësaj kohe kishte pikturuar diku rreth 150 piktura. Në këtë bisedë pati edhe shumë art dhe tematikë të natyrës profesionale që lidhet me piktirën, të cilat i dëgjuam nga deputetja Eliza Hoxha dhe Rexha, siç janë, natyra e këtij arti, motivet, etj. etj.
Edhe z. Kadri Veseli dhe z. Hysni Gucati, kishin shprehur gatishmërinë që takimin me na ta mbajnë së bashku, në të njejtën kohë, dhe ashtu edhe ndodhi.
Biseda me ta ishte mbresëlënëse. Gatishmërrinë dhe sakrificën e tyre për popullin dhe shtetin tonë askush nuk do të mund ta ndalte, edhe sikur njëmijë herë të kishte nevojë për diçka të tillë.
Z. Gucati foli edhe për temën e protestës së veteranëve që ndodhi para pak ditësh në Prishtinë, ku veteranët protestuan lidhur me trajtimin e tyre në Projektligjin e ri lidhur me pagën minimale.
Kjo që ndodhi me këtë projektligj, nuk do të duhej të ndodhte dhe kjo është e papranueshme, thotë ai, me një fjalë të qetë dhe plot siguri.
Duhet ta rregullojë këtë punë shteti, nuk duam të grindemi me policinë tonë, shumë nga policët kanë qenë pjesë e UÇK-së.
Edhe në këtë takim, brengë e pashmangshme ishte goditja e e kauzës sonë çlirimtare, përmes shpifjes – ndërmarrje e përbashkët kriminale, kjo nuk ka ngjarë me asnjë popull që luftoi për liri, kjo nuk ka ngjarë me asnjë lëvizje çlirimtare.
Takimi me Pjetër Shalën ishte mjaft prekës. Ai në fillim na tregoi se si e kishin arrestuar në orët e hershme të mëngjesit, pa paralamërim dhe pa ftesë.
Unë, thotë ai në vazhdim, disi, tashmë jam mësuar me këto gjëra, me këto sjellje të vrazhdëta ndaj meje, ndonëse të panevojshme. Hallin e kam tek fëmijët e mi, të cilët kanë pësuar trauma, nga ai akcion policor, natën, kur ata ishin në gjumë. Ato trauma po i shoqërojnë fëmijët e mi ende, sot e kësaj dite.
Takimi fundit ishte me Nasim Haradinaj, Nasimi siç edhe e njohim në publik, është disi i veçantë, i drejtpërdrejtë, me homor të mirë, plot energji, e mbi të gjitha me një vullnet të papërshkrueshëm.
Me një vullnet të paparë, tregon për peripecitë jetësore që e kanë përcjellur në rrugëtimin e tij drejt lirisë dhe se si u ka bërë ballë këtyre sfidave, si një uragan i vërtetë.
Foli edhe për brengat e përgjithshme lidhur me çështjen e protestave të veteranëve lidhur me pagën minimale.
Mënyra e artikulimit dhe sinqeriteti i tij, për mua, flasin shumë më tepër, shumë më bindshëm për personalitetin e tij, për zemërgjerësinë e tij, për sakrificën e bërë dhe për gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij edhe në të ardhmen.
Më tutje, mësaum se Nasimi është gjithashtu një kuzhinier shumë i mirë, këtë zanat mbase mund ta ketë mësur gjatë viteve të mbajtjes së burgut, apo është dhunti e zotit, apo që të dyjat së bashku, mendova.
Dalëngadalë, ofrohet koha e ndarjes, ora është rreth 14. Gardiani hap derën dhe me një qasje shumë të butë, na tregon për kohën.
Përshëndetemi me Nasimin me ndjenja të papërshkrueshme, pastaj përshëndetemi edhe me familjarët e Nasimit të cilët ishin në dhomën përballë, ndërsa në dalje të atij koridori përshëndetemi edhe një herë Rexhën dhe dy vëllezërit e tij të cilët vazhdonin vizitën akoma.
Shoqërohemi nga stafi i qendrës nga ndërtesa ku u mbajt takimi deri në ndërtesën tjetër në hyrje.
Në ato çaste, unë përshkohem nga ndjenja të shumta, emocionale, të ftohta… akull… athua, mendova me vete sa miliona mendime vardisen në këto momente në kokën time…
“Ne po ecim“, ata po i lëjmë këtu… për çka… cili është mëkati i tyre… vuajtja dhe sakrifica për çlirimin e Kosovës së robëruar nga rexhimet serbe dhe sllave… liria e vonuar..”drejtësia evropiane“… gratë e dhunuara gjatë luftës… fëmijët e vrarë në luftë…. diplomacia jonë… akademia jonë e shkencave… thashë me vete… po sikur të ishin të gjallë fizikisht, ndoshta, edhe Baca Shaban, Ademi e Hamza, Zahiri, Hakifi, Edmondi, dhe shumë e shumë të tjerë, mbase, mund të ishin në këtë burg…
Seç mu kujtua sintagma më absurde në dënimin e Hysniut dhe Nasimit “Në emër të Popullit”….
Përkundër dëshirës sime të mos e ndërpres veten nga milona monologje që zhvilloheshin në mendjen time, erdhi momenti që tek recepcioni i fundit t’i marrim çantat dhe gjësendet tona të mbyllura në rafte metalike.
Ofrohem tek kutia metalike, ia jap kodin katërshifror me kujdes dhe pres që ta hap kutinë, kutia nuk hapet. Provova për herë të dytë, po me kujdesin e njejtë, shtyp kodin katërshifror, por përsëri nuk hapet. Deputetët tashmë i kishin marrur gjësendet apo çantat e tyre dhe më prisnin që të dalim së bashku nga kjo hapsirë.
Eja, më thotë deputeti Alban Bajrami, prit ia kthej, se nuk po hapet dera e kutisë.
Si s’spo hapet thotë dhe ofrohet afër meje, mos e ke harruar kodin, më pyeti Albani përsëri.
Jo nuk është e mundur ta harroj, ia tregoj kodin dhe ai e shtyp, përsëri nuk hapet kutia.
Më pas, si opcion tjetër mbeti se mund ta kem harruar renditjen e kutisë dhe hajde të kërkojmë në kutitë e afërta.
E shtypim kodin në një tjetër kuti, hapet ajo, por aty nuk është çanta ime, është një çantë tjetër më e vogël dhe bashkë me te edhe një sako verore. Mos është kjo, më pyet përsëri Albani, jo, ia kthej për së dyti, apo për së treti. Po si u hap, vazhdon dialogu mes meje dhe Albanit, po mbase mund ti kemi kodet identike me pronarin e panjohur të asaj kutie ku ishte edhe sakoja, por kutitë janë të ndryshme, i them unë. Vërtetë çudi.
Më pas ofrohemi tek recepcioni dhe i tregojmë zyrtares policore apo gardianes, që nuk po hapet ky raft. Ajo, pa një pa dy na tha mos provoni më, pritni vetëm pak, u ngrit të këmbë, e identifikoi renditjen e “raftit problematik” dhe pas pak erdhi me një letër në dorë me kodet e shkruara me laps kimik të cilat i nxori nga regjistrat e saj.
Cila kuti nuk po hapet, pyeti, i tregoj duke bërë me dorë, kjo kuti, pastaj ia dha kodin e saj dhe hapet kutia. Aty ishte çanta ime, e marrë ate, përshëndetemi me policen dha dalim nga objekti.
“Incidenti“ ndërmjet çantës sime dhe kodit elektronik, më ngjalli disa mendime shtesë, ç’farë ndodhi, pyesja veten… kodi tentoi ta mbajë çantën të mbyllur apo çanta nuk deshti të dalë, akoma pa u mbushur mirë me evidenca, fakte të tjera dhe kujtime nga QP në Hagë, …. më bëhej se po më fliste çanta mua…. dua akoma të mbushem me shënime dhe evidenca të gjithanshme se këtu ka për çka të shkruhej… ka për çka të flitet…
Më bëhej se çanta më fliste mua, … më bëhet se ajo më parashtroi shumë e shumë më bëhej se ajo më thoshte mua:
– A ka ndryshuar konteksti juridik i aktakuzava të shpifura të Marty-t?
– A e dini se Dick Marty-n sot e ruan policia speciale Zviceriane?
– A e dini se nga kush e ruan policia speciale Zviceriane këtë monstrum të shekullit XXI?
– A e dini se pse po e ruan?
– A keni bërë ndonjherë ndonjë pyetje ose komunikim, apo notë verbale me shtetin Zvicerian, për të mësuar mbi faktet e reja ndaj Marty-t?
– A e dini se po shkelet Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut?
– A ka dhënë Republika e Kosovës garancionet e kërkuara nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, për mbrojtjen në liri për të paraburgosurit?
– Nëse Republika e Kosovës, i ka dhënë garancitë e kërkuara, pse nuk po kërkoni lirimin nga paraburgimi, si një e drejtë legjitime?
– A i ka themeluar Kuvendi i Republikës së Kosovës me Kushtetutë dhe me ligj, Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar?
– A është bërë ndonjëherë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës Mbikqyrja e zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar?
– A mundet Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë një Rezolutë, ku do të viheshin në pah këto çështje?
– A i jeni drejtuar ndonjëherë BE-së dhe institucioneve të saja me ndonjë letër ose kërkesë lidhur me zhvillimet e reja që kanë ndodhur në ndërkohë?
– A i keni dërguar ndonjëherë ndonjë letër informuese / njoftuese Këshillit të Evropës, se ka elemente të mjaftueshme që dëshmojnë shkeljen e Nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut…?
– A keni dëgjuar ndonjëherë qoftë edhe të vetmen fjalë nga ana e “Avokatit të Popullit” të Dhomave të Specializuara?
– Po, ku keni parë ju edhe këso duplifikime absurde, edhe Avokat të Popullit të Kosovës edhe Avokat të Popullit të Dhomave të Specializuara?
Nga mendimet e tilla nuk munda të shkëputem për një kohë të gjatë….
Në ndërkohë, ne kishim bërë një foto para qendrës së paraburgimit dhe tashmë po transportoheshim me automjetin e ambasadës sonë në hotel ku ishim të vendosur…
Në orët e hershme të para-mëngjesit të datës 29 qershor, u kthyem në Kosovë me zemër të thyer e me mendje tek udhëheqësit tanë të UÇK-së, të cilët po mbahen të izoluar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Shënim: Pikëpamjet e autorit të këtij shkrimi nuk ndërlidhen në asnjë mënyrë me rolin dhe detyrat në administratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Tesket e rubrikës Opinione nuk përfqësojnë qendrimet e redaksisë së RTV21
Back to top button