Në Trieste pritet marrëveshje e transportit

Zhbogar, thotë se Samiti në Trieste është vazhdimësi e iniciativës së Berlinit të para katër vjete

Ideja e themelimit të një tregu të përbashkët ekonomik të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të mërkurën do t’i ulë në tryezë për herë të katërt krerët e 6 shteteve të rajonit. Dy ditë para fillimit të Samitit të Triestes, Ambasadori italian në Shkup, Karlo Romeo zbulon detajet se ministrat e transportit të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnja Hercegovinës dhe Serbisë do të nënshkruajnë marrëveshjen për transport të përbashkët.

“Pas disa tensioneve, tani imazhi politik në rajon është më pozitiv. Shpresoj se Samiti i Triestes do të ndikoj për një zhvillim dhe rikthim të rëndësishëm, se do të ndikoj në ndryshimin e pikëpamjeve për BE-në në rajon dhe anasjelltas, të ndikojë në pikëpamjet e BE-së ndaj rajonit. Shpresoj se liderët e të gjashtë vendeve do të vijnë në Trieste me ide konstruktive dhe do ta shfrytëzojnë mundësinë politike, të cilën e ofron ky samit, që të dëshmohen si liderë reformatorë dhe pro-evropian”, tha Karlo Romeo, ambasadori Italian në Shkup.

Zëri i Brukselit në Shkup, ambasadori Samuel Zhbogar, thotë se Samiti në Trieste është vazhdimësi e iniciativës së Berlinit të para katër vjete.

Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimorë duhet të konkurrojnë bashkërisht në tregun evropian dhe atë global. Ndërsa e hedh poshtë tezën, se ky model i ngjan atij jugoslloven!

“Nuk do të bëja krahasim me të kaluarën, Ky është model që është krijuar për të ardhmen. Sfera e integrimit ekonomik ose ajo që vetë kryeministrat do ta diskutojnë në Trieste, gjithashtu edhe planin aksionar, të cilin do ta përpilojnë atje, dëshmon se po punohet për zhvillimin e rajonit në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Shkup.

Euro komisari Johanes Han, muaj më parë pati deklaruar se procesi i bashkëpunimit ekonomik të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimorë është modeli i Brukselit për uljen e tensioneve politike në rajon. Sipas tij, me vet faktin që ndërtohen autostrada dhe hekurudha, vendet ndërlidhen mes veti, duke rritur në këtë mënyrë edhe ndërvarësinë e tyre ekonomike./21Media

Back to top button