Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orë, viktimë gratë

Shtatë raste të dhunës në familje janë regjistruar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë. Policia ka bërë të ditur se të gjitha viktimat e dhunës në familje janë gratë.

Në raportin 24 orësh thuhet se një rast ka ndodhur në Lipjan, një në Fushë Kosovë, tre në Prishtinë, një në Viti dhe një në Pejë.

Sa i përket rastit të dhunës në familje në Lipjan një shtetase e huaj ka raportuar se ka pasur dhunë nga një burrë.

“Palët janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt hetimore”, thuhet në raportin e policisë.

Në Fushë Kosovë është arrestuar një burrë i cili pas një mosmarrëveshje ka ushtuar dhunë ndaj një gruaje, ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë një grua ka raportuar se është dëbuar nga shtëpia nga një burrë, në rastin tjetër një burrë ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje dhe në rastin e tretë një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga një burrë.

Dy nga të dyshuarit janë liruar dhe njëri nuk është hasur në lokacion.

Në Viti, një grua ka pranuar trajtim mjekësor pasi që e njëjta është sulmuar fizikisht nga një burrë. Policia njofton se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërsa, në Pejë është arrestuar një burrë i cili pas një mosmarrëveshje verbale ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

“Viktima nuk ka dëshiruar të marrë trajtim mjekësor dhe pas intervistimit është kthyer në shtëpinë e saj. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar ne mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.

Policia të gjitha rastet i ka cilësuar “Dhunë në familje”./21Media

Back to top button