Nënë e bir të sëmurë dhe në varfëri ekstreme

Kur të gjithë presin festën e ndërrimit të motmoteve, për ta nuk ka festë

Verë e dimër, jeta për ta është mjerim. Tash e sa kohë po jetojnë të vetëm nënë e bir. Dy anëtarët e familjes Ajvazi, çdo ditë po bëjnë një jetë të tillë, atë të varfërisë ekstreme. E të ardhurat e vetme i kanë nga ndihma sociale prej 75 eurosh, me të cilat nuk arrijnë t’i mbulojnë as gjysmën e nevojave mujore.

Çdo centimetër e kësaj shtëpie është e mbuluar nga myku. Kurse, dyert prej druri pothuajse janë të rrëzuara.

Nënë e bir po jetojnë në një dhomë, e shpesh herë gjumi i zë edhe të uritur.

Tash e pesë vjet, i zoti i kësaj shtëpie ka ndërruar jetë. E atë, edhe pse i ri në moshë po e zëvendëson 20 vjeçari, Egzon Ajvazi nga Prishtina.

Si i ri, puna e vetme që mund të bëjë është mbledhja e hekurave dhe kanaqeve. E me pak fitim që ka, kthehet në mbrëmje në shtëpi.

“I kisha lut të gjithë kush na përcjell, me na ndihmu për një shtëpi. E kom kryer shkollën deri në klasën e nëntë, nuk kemi pasur para për të blerë libra. Qe pesë vjet më ka vdekur baba……Libra nuk patë me ble, fletore nuk patë me ble, çka me bo me 75 euro. Unë sëmurë prej sheqerit, me kon me shku te mjeku. Unë vetëm me djalë duhet me shku te mjeku”.
Ushqimin që po e sigurojnë me ndihmën sociale mujore, mund të jetë edhe i dëmshëm për ta, pasi që në një dhomë flenë, përgatisin ushqimin dhe ushqehen.

Xhevahirja është munduar të tregoi për kp, problemet e saj shëndetësore dhe jetën e vështirë që po bëjnë nënë e bir.

“Qe 9 vjet në këto baraka, qe pesë vjet më ka vdekur burri, më ka mbet djali 16 vjeçar. Unë asgjë nuk po dua veç një shtëpi. 75 euro i marrim, çka me bo me to. Këto kanaqet nga njëherë një euro, nga njëherë dy euro, asgjë nuk ka”, tha ajo.

Ndërkohë, kur të gjithë presin festën e ndërrimit të motmoteve, Ajvazi thotë se për të nuk ka festë.

“U bo Viti i Ri, shtëpi timen nuk kam, burri ka vdekur, me një djalë, s’ka asgjë për Vitin e Ri”, tha ajo.

Një shtëpi e vogël e rrethuar me mbeturina dhe shumë çka tjetër, kundërmon në çdo cep. Ajvazi tregon se lutja e saj e vetme është që një ditë të plotësohen nevojat e të birit të saj.

Ushqimin po e sigurojnë disi, në të shumtën e rasteve po ndihmohen nga të tjerët. Nënë Xhevahirja thotë se brenga kryesore është shtëpia.

E edhe në këtë pak metra katrorë që jetojnë dy anëtarët e familjes Ajvazi, thonë se janë në rrezik. Anëtarë të përhershëm të kësaj shtëpie janë edhe gjarpërinjtë dhe minjtë.

“Unë qitu flej, djali qitu, kur u ardhë një mi, duhet me afru me diçka me mëshel derën. Kaq ka qenë miu. Pasha Zotin shumë vështirë, as nuk kom motra, as nuk kom vëllëzer as kërkon, veç këtë djalë. Ku u kon me u heq më shpejt prej ktuhit”, ka shtuar ajo.

Derisa 20 vjeçari Egzon Ajvazi është detyruar të ndërpres edhe shkollimin për shkak të gjendjes së tyre të vështirë, nëna e tij bënë lutje për të gjithë që kanë mundësi t’u ndihmojnë për ndërtimin e shtëpisë.

Back to top button