Nënkryetarja e PD-së: Historia e Sarandës, sinjal për BE-në

“Shqipëri, duhet të bëhet e mundur që përtej fjalëve e premtimeve, të ecim para bashkë me Kosovën drejt integrimit në BE”, tha nënkryetarja e PD-së në Shqipëri, Jorida Tabaku.
Tabaku vlerësoi fjalimin e e nënkryetare së Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevcit në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Ajo tha se historia e Sarandës duhet të jetë sinjal për BE-në, që të mos harrojnë angazhimin për të mbështetur zhvillimin e një shteti të ri.
“Saranda Bogujevci, nuk do ta kishte menduar kurrë se do të fliste në emër të Kosovës për herë të parë në Këshillin e Europës dy dekada më parë. Nuk do ta kishte besuar asnjëherë se 20 vite pas tmerrit të masakrës në Kosovë nga forcat e nacionalizmit shovinist, të cilës tetë anëtarë të familjes së saj (përfshirë të ëmën dhe dy vëllezërit) nuk do t’I mbijetonin, ajo do të fliste për vuajtjen që i kujtonte lufta sot në Ukrainë. Historia e Sarandës duhet të jetë një sinjal për Bashkimin e Europian që të mos harrojë angazhimin për të vazhduar zgjerimin dhe mbi të gjitha për të mbështetur zhvillimin e një shteti të ri me histori të trishtë. Kosova nuk ka pse mbetet e izoluar si një ishull”, shkroi Tabaku në Facebook.
Sa i përket liberalizimit të vizave, Tabaku tha se ‘besimi i qytetarëve të Kosovës është tërësisht pro vlerave të BE-së, dhe s’ka arsye për të ndalur procesin e integrimit euro-atlantik.
“Liberalizimi i vizave nuk ka më asnjë arsye për të mos u aplikuar mbi Kosovën njësoj siç është aplikuar mbi vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Fryma dhe besimi i qytetarëve të Kosovës është tërësisht pro vlerave të BE-së dhe nuk ka asnjë arsye objektive për të ndaluar procesin e integrimit euro-atlantik. Ne si Shqipëri duhet të bëjmë gjithçka, përtej fjalëve dhe premtimeve, për të çuar përpara së bashku me Kosovën qëllimet e saj dhe tonat për integrimin në BE. Koha të veprojmë!”, ka përfunduar Tabaku./21Media

Back to top button