Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e QMF-së në Strellc të Epërm

 

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Deçanit sot nënshkruan marrëveshje për financimin dhe ndërtimin e objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Strellc të Epërm në vlerë prej 260 mijë eurove në bashkëfinancim mes këtyre dy institucioneve.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se ky është gëzim për këtë komunë sepse ndërtimi i kësaj qendre ishte nevojshëm qysh më herët.

Kemi nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Strellc, një objekt që ka pasur nevojë qysh moti të rinovohet mirëpo për shkak të gjendjes ekonomike dhe kushteve tjera ka ardhur momenti tani dhe ne i gëzohemi këtij fakti. Po ashtu kemi biseduar edhe për zhvillimet e kësaj komune, e sidomos për situatën pandemike me të cilën po përballemi, jo vetëm ne si Deçan, po gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Ramosaj.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë se shumë shpejt do të fillohet me implementimin e kësaj marrëveshje, si dhe do të vazhdohet me funksionalizimin e QKMF-së dhe Emergjencës.

Pandemia na ka vendosë në një pozicion tjetër të menaxhimit, të gjithë pjesës infrastrukturore në shëndetësi, po mundohemi t’i racionalizojmë shpenzimet, t’i identifikojmë nevojat dhe përmes kujdesit parësor ta ndihmojmë shëndetësinë kosovare, jo vetëm atë kujdesin dytësor dhe treciar. Ne kemi nënshkruar një memorandum i cili shumë shpejt do të hyjë në implementim dhe ta funksionalizojmë në plotni edhe QKMF-në edhe Emergjencën por edhe ndërtimin e AMF-së në Strellc, që t’ju ndihmojmë qytetarëve sado pak që t’ia lehtësojmë jo vetëm përballjen me pandeminë por dhe në ruajtjen e shëndetit publik”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka vizituar edhe shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan.

 

Back to top button