Hoti: Asociacioni nuk diskutohet në dialog, nuk di nëse do të mbahet takimi në Bruksel

 

 

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk e di nëse do të mbahet takimi i paraparë për 28 shtator me Serbinë në Bruksel, pas kushtëzimit që Serbia ka bërë për pjesëmarrjen në dialog me shprehjen e gatishmërisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këtë çështje, në një konferencë për media të enjten, Hoti ka thënë se ajo është temë e mbyllur.

Sa i përket Asociacionit, kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013, kjo nuk është temë që do të hapet në procesin e dialogut, nuk e di a do të mbahet takimi i radhës në Bruksel”, ka thënë Hoti.

Shefi i ekzekutivit edhe njëherë ka theksuar se Kosova i ka kryer kompromiset sa i përket çështjes që lidhet me dialogun dhe bisedimet me Serbinë.

“Kompromisi më i madh qe kemi bërë ne është që të pranojmë te futemi ne proces te dialogut. Ju i dini vendimet në fillim të mandatit, heqja tarifës dhe reciprociteti, këto janë kompromiset, Kosova i ka kryer kompromiset në vitin 2008”, ka theksuar Hoti.

Ndërsa për çështjen e zgjedhjes së presidentit, pasi te kalojë mandati i presidentit aktual Hashim Thaci, Hoti ka thënë se çështja e presidentit kërkon përfshirje përtej koalicionit qeverisës.

Kur te vjen shkurti i vitit 2021 duhet të ulemi të gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Duhet të ulemi përtej koalicionit për këtë çështje”, ka thënë ai.

Këto deklarata Hoti i ka bërë në një konferencë për media në të cilën doli të flas për problemet e prodhuesve të qumështit.

Ka dy javë që prodhuesit e qumështit, fermerët kanë vështirësi në plasimin e qumështit të tyre. Për shkak te situatës që është krijuar në treg nga pandemia ka ngopje të tregut me qumësht dhe përpunuesit e qumështit e kanë të pamundshme ta shesin qumështin në treg dhe kanë vështirësi të pranojnë qumësht nga fermerët”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka shtuar se institucionet përgjegjëse janë në teren për t’u siguruar që të zbatohet ligji.

Do të inspektojmë tregun për tu siguruar që konsumatorët të kenë të qartë se çka blejnë. AVUK do të jetë shumë angazhuar në terren për të marrë mostra. Është obligim ligjor të jemi rigoroz në terren ndaj atyre që shkelin ligjin duke mos i shitur produktet ashtu siç shkruan në etikete”, ka shtuar Hoti.

Back to top button