Nënshkruhet vendimi për ndërtimin e Zonës Ekonomike në Rahovec
Shala: Kjo zonë do t’iu shërbejë bizneseve që të kenë hapësira sa më të mira për ta ushtruar veprimtarin
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në detyrë, Endrit Shala, në vazhdën e mbështetjes për bizneset e huaja dhe vendore, sot ka nënshkruar vendimin mbi dhënien e pëlqimit për themelimin e Zonës Ekonomike, respektivisht Parkut Industrial në Opterushë, Komuna e Rahovecit, duke u bazuar në faktin se kriteret e parapara me legjislacion në fuqi janë plotësuar.
Shala theksoi se janë parapa 34 hektar që do të vendosen bizneset e huaja dhe vendore, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke krijuar mundësi për bizneset në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, duke ndërtuar zona ekonomike. Kjo zonë do t’iu shërbejë bizneseve që të kenë hapësira sa më të mira për ta ushtruar veprimtarin dhe numri i të punësuarve parashihet të jetë rreth 600 persona”, tha Shala.
Ai theksoi se roli i ministrisë është krijimi i kushteve sa më të mira për bizneset, duke punuar shumë në fuqizimin e tyre që të jenë konkurruese.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do ta financojë infrastrukturën e kësaj zone me rreth 3 milionë euro duke i kushtuar rëndësi zhvillimit ekonomik të vendit./21Media