“Nëse kërkohet nga SHBA, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë e kapacitetet e FSK-së”

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj sot ka deklaruar se ministria që ai drejton me vëmendje maksimale është duke monitoruar situatën kritike të sigurisë në Evropë të shkaktuar nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe implikimet për sigurinë rajonale, kontinentale dhe globale.
“Siç kemi paralajmëruar edhe më herët, Rusia e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë intenzivisht me aktivitetet e luftës hibride, tashmë të njohura, në rajonin tonë, siç ishin edhe deklaratat dezinformuese, para pak ditëve nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë. Kjo dezinformatë e rrezikshme, qëllimi i së cilës lexohet qartë, synon të shkaktojë konfuzion brenda unitetit të deritashëm të vendeve dhe kombeve me orientim euroatlantik, dhe të cenoj kohezionin e përgjithshëm të qytetarisë botërore demokratike që solidarizohen me Ukrainën dhe popullin e saj.”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të merren parasysh vetëm informacionet zyrtare nga institucionet relevante shtetërore të Republikës së Kosovës.
Nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, Mehaj ka theksuar se janë të gatshëm të ofrojnë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme.
“Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë fuqishëm në vazhdimësi, orientimin e plotë dhe të natyrshëm euroatlantik, andaj edhe kërkojmë nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO.”, ka shtuar Mehaj.
Ai ka theksuar se është koha që SHBA të miratojë kërkesën e të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.
“Për arsyen e njëjtë, gjithashtu vlerësojmë se është koha që kërkesa jonë e përhershme për anëtarësim në NATO të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive. Ky veprim do të jetë edhe një vlerë e shtuar, krahas vlerave që bartë NATO, dhe përkon me synimin tonë kryesor nacional, në aleancë të përjetshme me SHBA-në. Kjo është koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të qëndrojnë fuqishëm së bashku në anën e duhur të historisë.”, ka shkruar tutje ministri Mehaj.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur në Bruksel, ka dënuar Vladimir Putinin për “kthimin e luftës në Evropë”. Ajo ka njoftuar se një paketë sanksionesh “masive” do të propozohet më vonë në një përpjekje për të dobësuar bazën ekonomike të Rusisë dhe “kapacitetin e saj për t’u modernizuar”.
Vladimir Putin ka njoftuar operacionin ushtarak në Ukrainë në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës – dhe minuta më vonë, sipas raporteve, janë lëshuar granatimet dhe raketat e para në Ukrainë./21Media

Back to top button