Nëse nuk ofrohet ndihma emergjente Prokuroria paralajmëron hetime

Sipas prokurorit Berisha, mosdhënia e ndihmës mjekësore është vepër penale

Si rrjedhojë e kërkesave për ngritje të pagës, drejtues të Federatës Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës kanë paralajmëruar se kanë kërkesa për masa radikale, duke përfshirë edhe mos ofrimin e shërbimeve emergjente shëndetësore.

Nëse realizohet një kërkesë e tillë, Prokuroria paralajmëron nisjen e hetimeve për veprën penale, ‘mosdhënia e ndihmës mjekësore’.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha për KALLXO.com tha se nëse realizohet paralajmërimi për mos ofrim të shërbimeve emergjente shëndetësore do ta analizojnë situatën dhe do të hetojnë nëse ka elemente të veprës penale.

“Mosdhënia e ndihmës mjekësore është vepër penale, greva është e lejuar si e drejtë e garantuar por unë nuk e di se si mundet të bëhet diçka e tillë që të mos trajtohen rastet emergjente. Ne do t’i analizojmë të gjitha mundësitë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë, përndryshe do të hetojmë nëse nuk do të trajtohen rastet e natyrës urgjente”, tha prokurori Berisha, raporton Kallxo.com.

Këshilli Qendror Grevist i FSSHK-së ka vendosur për të vazhduar grevën edhe për 48 orë. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës-FSSHK ka bërë të ditur se pas festës së Vitit të Ri, më datën 3 janar 2019 do të vazhdohet me grevë pa limit kohor deri në reflektimin e qeverisjes vendore ndaj kërkesave të punonjësve shëndetësorë.

Ndërkohë, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve sot kërkoi të ndërprehet greva.

Paga e mjekut specialist  në Kosovë është rreth 600 euro në muaj, ndërsa infermieri paguhet rreth 300 euro në muaj.

Back to top button