“Nëse rrogat nuk rriten, nuk do të ketë ekzistencë”! Jovanoviq: S’mund që krizat të rëndojnë mbi kurrizin e punëtorëve

Paga minimale të jetë 60% nga ajo mesatare, gjegjësisht 18.000 denarë. E jo vetëm minimalja, por gradualisht të rriten të gjitha rrogat. Kjo është kërkesa të cilën Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e kanë dorëzuar në Qeveri para 9 muajve.
“Është evidente se ka rritje të çmimeve në të gjitha dyqanet, duke i përshirë edhe tregjet dhe për këtë arsye duhet të rriten edhe rrogat. Këtu nuk po flas vetëm për rrogën minimale, por gradualisht të rriten të gjitha pagat në pajtueshmëri me marrëveshjet kolektive sipas veprimtarive dhe degëve. Kjo është e nevojshme, sepse siç e dini gjithkund ka rritje të çmimeve, kurse pagat nuk mund të mbesin të njëjta”, tha Darko Dimovski – kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
Në qoftë se rrogat nuk shënojnë rritje, punëtori nuk do të ketë ekzistencë. Si pasojë e kësaj do të vijojë anarki sociale e cila do të rezultojë me grevë, shpjegon Dimovski. Ndryshe, me qëllim që punëtorët të qëndrojnë në vend, Qeveria paralajmëron rritje jo vetëm të minimales, por të të gjitha rrogave. Kështu, me dy rroga minimale prej 18.000 denarëve qytetarët do të mund t’i mbulojnë shpenzimet bazë për jetë të cilat sipas shportës së konsumatorëve e kapin vlerën prej 34.000 denarëve.
“Kryeministri paralajmëroi se deri në fund të vitit rroga minimale do të jetë 18.000 denarë. Kjo është konfirmuar përmes dialogut dhe në pajtueshmërinë e partnerëve socialë, duke i ndjekur treguesit socio-ekonomikë në këtë periudhë”, theksoi Dushko Arsovski – zëdhënës i Qeverisë.
Parimi kryesor jo vetëm i ekonomisë por edhe parimi i jetës është që në mënyrë paralele me rritjen e çmimeve të rriten edhe rrogat, shpjegon ekonomisti Branimir Jovanoviq. Sipas parashikimeve të tij ekonomike, vitin e ardhshëm tashmë nuk do të ketë inflacion dhe nuk guxon të lejohet që për inflacionin që e kemi për momentin, çmimin ta paguajnë punëtorët. Me këtë vetëm do të rritet varfëria. Peshën duhet ta bartin ata që munden, të pasurit, kompanitë e mëdha dhe ata që kanë realizuar përfitim në periudhën e krizës.
“Nuk mundet që pesha e krizave të këtilla çdo herë të bjerë në kurrizin e punëtorëve. Dëgjoj se shumë nga ekonomistët tregojnë se në atë mënyrë do të krijohej spirale dhe se në mënyrë shtesë do të gjenerohej inflacion, për shkak se rrogat do të bëjnë inflacion, absolutisht nuk pajtohem me këtë, për shkak se inflacionin që e shikojmë tani është e determinuar nga çmimet e energjencave. Nuk pritet që këto çmime të jenë të larta vazhdimisht, pritet që vitin e ardhshëm, ndoshta në fillim, ndoshta në mes, të ulen dhe kur të ndodhë kjo gjë, inflacioni do të ulet”, u shpreh Branimir Jovanoviq – ekonomist.
Ai porosit se Qeveria duhet të sjellë një sërë masash. Jo vetëm përkufizim të çmimeve por edhe ndihmë të drejtpërdrejt për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, sipas shembullit të disa vendeve evropiane si dhe angazhim më aktiv të shtetit./TV21

Back to top button