Nesër finalja e dytë e hendbollisteve
Të martën nga ora 17:00 luhet ndeshja e dytë e finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri takohen Vushtrria e Istogu.
Istogu të shtunën e fitoi bindshëm ndeshjen e parë dhe një fitore tjetër apo një barazim do t’ia siguronte titullin. Istogaset kanë fituar 25 ndeshjet e deritashme në kuadër të kampionatit. Në Vushtrri udhëtojnë për të shënuar fitoren e 26-të dhe për ta festuar titullin e kampionit.
Plane tjera ka skuadra vendase, Vushtrria. Ndonëse ka humbur përballjet e këtij edicioni me Istogun, Vushtrria do të jap më të mirën e mundshme për të shënuar fitore dhe për ta dërguar finalen në ndeshjen e tretë, që do të luhej në Istog.
Pritet një ndeshje e bukur dhe cilësore, që do të jetë e denjë për fazën përmbyllëse të kampionatit.