Nesër maturantët i nënshtrohen testit shtetëror

Pjesa e parë e testimit nesër, e dyta më 24 qershor

Mbi 30 mijë maturantë pritet t’i nënshtrohen nesër pjesës së parë të provimit shtetëror të maturës, ndërsa pjesa e dytë e testimit do të mbahet me 24 qershor. Gjatë ditës së nesërme maturantët do t’i nënshtrohen provimit në lëndët gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë.

Kalueshmëria e këtij testi është 40 përqind të pikëve, ku ata maturantë që arrijnë këtë përqindje kalojnë maturën shtetërore dhe pajisen me certifikatë.
Ndërsa, në rast të identifikimit se maturantët kanë kopjuar gjatë procesit të testimit ata mund të ndëshkohen që të humbin provimin e maturës deri në një vit, kurse për administratorët masat janë duke filluar gjoba nga mjetet e deri tek masa të tjera më të rënda.

Këshilltari i ministrit të Arsimit, Azem Guri, ka bërë të ditur se Komisioni Shtetëror i Maturës ka bërë të gjitha përgatitjet që nesër të mbahet pjesa e parë e provimit shtetëror të maturës.
“Çdo gjë është gati që nesër të mbahet provimi shtetëror i maturës dhe komisioni shtetëror i maturës i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe nesër në 200 qendra të testimit që janë të angazhuar rreth 2 mijë e 100 administrues dhe rreth 600 mbikëqyrës ose komisionar. Do t’i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës rreth 30 mijë maturantë ose kandidatë. Komisioni ka bërë të gjitha përgatitjet dhe nesër shpresoj se çdo gjë do të shkoj në rregull”, tha ai.

Sipas tij, pjesa e parë e testimit ka 100 pikë, po i njëjti numër i pyetjeve do të jenë edhe në pjesën e dytë, do të jenë pyetje të profesioneve të tyre gjatë shkollimit të mesëm.

“Pjesa e dytë e provimit të maturës shtetërore do mbahet me 24 qershor, ndërsa publikimi i rezultateve do të bëhet me 30 qershor. Të gjithë këto aktivitete janë të koordinuara me institucionet e arsimit të lartë përkatësisht me universitetet kur ato shpallin konkurset për regjistrim në fakultet, ku dihet se matura shtetërore ka një prag të kalueshmërisë kandidatët ose maturantët që arrijnë 40 përqind të pikëve kalojnë maturën shtetërore dhe pajisen me certifikatë. Ndërsa, shkolla i pajis me diploma në momentin që e përfundon shkollën e mesme të lartë, pra ata me diplomë edhe me certifikatë mund të aplikojnë në institucionet e arsimit të lartë”, tha ai.

Guri tha se në klasë do të jenë nga 15 maturantë. “Formati i maturës shtetërore do të jetë i njëjtë nga ai i vitit të kaluar, në klasë do të jenë nga 15 maturantë dhe në çdo 15 maturantë do të jetë i angazhuar një administrues ndërsa në çdo 5 dhoma të mësimit do të jetë i angazhuar një mbikëqyrës”, tha ai.

Ai njoftoi se gjatë testimit maturantëve nuk do të ju lejohet që të kenë me vete telefonat, ku ai tha se në momentin e hyrjes në klasë nga administratori do të ju kërkohet që ata të cilët posedojnë telefona t’i dorëzojnë.

Publikimi i rezultateve të Maturës Shtetërore do të bëhet me 30 qershor, ndërsa të gjitha ata që kanë ankesa këtë mund ta bëjnë nga 1 deri me 5 korrik.

Ndërsa, në rast të mos arritjes së 40 përqind të pikëve maturantët kanë të drejtë të hyjnë në provim përsëri në afat të gushtit, i cili do të mbahet me 26 gusht pjesa e parë dhe pjesa e dytë me 5 shtator.

Back to top button