Nesër përfundojnë afatet për koalicione dhe aplikim për certifikim të subjekteve politike

Nesër përfundon koha që subjektet politike të deklarojnë në KQZ, koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Po ashtu, deri nesër përfundon afati edhe për partitë politike të cilat nuk duan të bëhen pjesë e procesit zgjedhor, të cilat duhet të deklarohen se nuk duan të jenë pjesë e garës.
Këtë e bëri të ditur për portalin rtv21.tv, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Për partitë politike, koalicionet, nismat qytetare, dhe kandidatët e pavarur, Elezi tha se ata duhet të plotësojnë online formularin e aplikimit për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Deri më 30 nëntor subjektet duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Formulari, i cili është i ngjashëm me të proceseve të kaluara zgjedhore, është i vendosur në platformën elektronike të KQZ-së dhe i njëjti duhet të plotësohet online”, sqaroi ai.
Elezi theksoi se partitë politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet ta njoftojnë KQZ-në për këtë mënyrë të përfaqësimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, si garë e parakohshme zgjedhore.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 nëntor 2025”, tha Elezi për rtv21.tv
Kurse për koalicion, ai tha se ky mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike.
“Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së.
Për afatin e dorëzimit të listave me emrat e kandidatëve për deputetë, Elezaj tha se partitë politike deri më 7 dhjetor duhet të dorëzojnë në KQZ, këto lista.
“Deri më 7 dhjetor 2025 subjektet politike duhet të dorëzojnë në KQZ listën me emrat e kandidatëve për deputetë që kërkojnë të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme. Ky afat shënon një moment vendimtar në procesin zgjedhor, pasi pikërisht në këtë periudhë subjektet politike do të formalizojnë kandidatët për deputetë me të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e funddhjetorit”, tha Elezi për rtv21.tv/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?