Nesër propozimi për Qeverinë e re? Zaev dhe Xhaferi deklarohen për TV21

 

Kur do të votohet përbërja dhe programi i Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut? Mandatari për formimin e Qeverisë, Zoran Zaev pret që seanca e sotme e Kuvendit të zgjasë deri vonë dhe pas kësaj do ta dorëzojë propozimin për përbërjen e re të Qeverisë dhe të programit qeveritar. Për TV 21 Zaev deklaroi se propozimin me shumë gjasë do ta dorëzojë nesër në Kuvend.

“Procedura për verifikimin e mandateve mund të zgjasë deri vonë. Më së paku 9 vendime janë. Me shumë gjasë nesër në mëngjes do ta dorëzoj. Më pas vijojnë disa ditë që deputetë të kenë kohë të njoftohen me programin qeveritar dhe me autobiografinë e kandidatëve për ministra”, theksoi për TV21 Zoran Zaev, mandatar për formimin e Qeverisë.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi deklaroi se seanca për votimin e Qeverisë së re caktohet pasi të dorëzohet propozimi nga mandatari, Zoran Zaev i cili më së voni duhet të ndodh deri më 2 shtator.

“Debati se do të bëhet nesër, do të bëhet pasnesër. Procedurat janë të sakta. Mirëpo ende është duke rrjedhë afati për dorëzimin e mandatit të qeverisë së re dhe programin e punës së Qeverisë së re. Përderisa nuk dorëzohet përbërja e re dhe programi, unë mund të them se kur do ta konvokohet seanca”, deklaroi Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për TV21.

Se propozimi për qeverinë e re dorëzohet nesër në Kuvend, është paralajmëruar edhe nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe shtoi se ministrat e propozuar nga ai janë të pandryshuar. Ndërkaq, votimi pritet të ndodh gjatë fundjavës./Tv21

Back to top button