Nesër samiti i Triestes

Agjendë e samitit është raporti midis vendeve Ballkanike

Nesër në Trieste të Italisë mbahet samiti i Ballkanit Perëndimor 2017, i cili do të jetë një mundësi për të diskutuar rrugët konkrete për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për të çuar më tej procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Në samit do të marrin pjesë shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, komisari për Zgjerim dhe politika të fqinjësisë Johannes Hahn, Violeta Bulc, komisionere për Transport, si dhe shefat e qeverisë, ministrat e Ekonomisë dhe Ministrat e Transportit të Ballkanit Perëndimor dhe homologët e tyre nga gjashtë shtete anëtare të BE-së Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia.

Diskutimet do të fokusohen në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal lidhshmëria, integrimi rajonal ekonomik/zhvillimi i sektorit privat dhe kontaktet mes njerëzve.

Gjatë samitit, Komisioni Evropian do të prezantojë fonde të reja të konsiderueshme si pjesë e “pakos vjetore të lidhshmërisë”.

Për më tepër, partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të nënshkruajnë Traktatin e Komunitetit të Transportit, i cili do të ndihmojë në integrimin e rrjeteve të transportit në rajon dhe me BE-në dhe do të udhëheqë masat reformuese në sektorin e transportit.

Në lidhje me integrimin ekonomik rajonal, partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të bien dakord mbi një plan veprimi për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale me qëllim të rritjes së tërheqjes të rajonit për të rritur investimet dhe për të gjeneruar vende pune, veçanërisht nëpërmjet rritjes së zgjuar, bizneseve të reja dhe rritjes së kapacitetit./21Media

Back to top button