Nesër vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Nga nesër, 15 gusht, pas pushimit veror pritet të fillojë gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë.

Për katër ditë rresht të kësaj jave pritet të mbahen seancat dhe dy javë të tjera të këtij muaji.

Tri javë më parë është mbajtur dëgjimit i 15 dëshmitarëve të parë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Back to top button