Nëshkruhet marrëveshje bashkëpunimi për bizneset

Kjo marrëveshje është nënshkruar me qëllim të krijimit të lehtësirave për biznese

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës, me ç’rast kanë theksuar se me anë të kësaj, do të krijohen lehtësira për bizneset në kryeqytet.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë se ky memorandum bashkëpunimi do t’i shërbejë mjaft shumë bizneseve, pasi do të krijohet një klimë më e mirë e të bërit biznes. Pacolli ka theksuar se komuna e Prishtinës e ka prioritet zhvillimin ekonomik dhe do t’i mbështesë vazhdimisht bizneset.

“Pa pasur një klimë të mirë të biznesit nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.”, ka thënë ai.

Ndërsa, nënkryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Arsim Selmonmusaj, ka thënë se ky memorandum do të shërbejë që të ketë një qasje më të lehtë dhe një shërbim më të mirë për gjitha bizneset në Prishtinë.

“Shpresoj që tash e tutje të kemi një qasje dhe lehtësira më të mëdha për bizneset në Prishtinë.”, ka deklaruar Selonmusaj.

Sot, komuna e Prishtinës dhe Ministria e Infrastrukturës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për lëshimin në qarkullim të linjës së autobusëve të Prishtinës, deri në aeroport. I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se pas këtij nënshkrimi kanë për të formuar një komision të përbashkët, për të caktuar orarin dhe çmimin.

Back to top button