Nga 1 janari, e diela ditë jo pune – mëditje ditore më e lartë për 50%

Nga 1 janari vitin e ardhshëm e diela do të jetë ditë jo pune, ndërsa përjashtim do të jenë vetëm disa veprimtari. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 62 vota pro e miratoi ligjin, ndërsa ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jagoda Shahpaska thotë se me këto ndryshime arrihet balancim mes jetës private dhe profesionale.
“Me këtë zgjidhje ligjore, 92% e të punësuarve, të dielën do të mund të organizojnë ngjarje familjare, sociale, duke gjeneruar më shumë motivim që do të sjellë më shumë produktivitet në kompanitë dhe institucionet publike ku punojnë. Zgjidhja ligjore parasheh shtesë në pagën më së paku prej 50% për çdo orë të kaluar në punë dhe ditë jo pune të cilën do ta shfrytëzojnë në 7 ditët e ardhshme”, deklaroi Shahpaska.
Deputetët e opozitares VMRO-DPMNE mendojnë se ky ligj nuk është aspak zgjidhje ideale dhe se për të kishin vërejtje sindikatat dhe punëdhënësit. Pushteti do të jetë përgjegjës për ndikimin e këtij ligji ndaj të punësuarve i cili njëkohësisht është diskriminues për shkak se nuk vlen për të gjithë punëtorët në mënyrë të barabartë. VMRO-DPMNE aspak nuk votoi për këtë ligj.
“Të shpresojmë se këto ndryshimet nuk do të shkaktojnë që punëdhënësit të kenë alibi se nuk kanë përfitim të mjaftueshëm për shkak të mos punimit të dielën dhe t’i largojnë punëtorët nga puna. Përmes alinesë së fundit të paragrafit 3 thuhet se edhe veprimtari të tjera që nuk janë përfshirë me këtë ligj, do të duhet të punojnë të dielën. Në këtë mënyrë manipulohet me punëtorët dhe punëdhënësve u jepet mundësi që ta abuzojnë ligjin”, tha Angelinka Petkova nga VMRO-DPMNE.
Me ligjin nuk janë përfshirë punëtorët e 41 veprimtarive. Ligji kaloi në seancën qeveritare që më 8 qershor të këtij viti ndërsa pritej të fillonte të vlente më 1 tetor, megjithatë zgjidhja ligjore ngeci në Komisionin për punë dhe politikë sociale në Kuvend. Pastaj Kuvendi e shtyri miratimin e ligjit për shkak të zgjedhjeve. Sipas sindikatave ligji në përgjithësi nuk është i pranueshëm, por kanë vërejtje se duhen më shumë mekanizma për mbrojtjen e punëtorëve./TV21

Back to top button