Nga 1 marsi fillon vendosja e stikersave në veturat e regjistruara

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se nga 1 marsi është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit për vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike me qëllim të identifikimit më të lehtë nëse këto mjete motorike qarkullojnë si të regjistruara ose jo, si një ndër parakushtet e domosdoshme për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel.
Kjo është vendosur sot gjatë takimit ndërmjet Guvernatorit Mehmeti dhe Zëvendësguvernatorit Havolli me Zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe InfrastrukturësHysen Durmishi, përfaqësuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) Besarb Blakaj, Kryetar i Këshillit Administrativ dhe Sami Mazreku Drejtor Ekzekutiv.
Në takim u tha se të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e ngjitësve nëpër mjete motorike do ta bartin siguruesit, respektivisht BKS-ja si përfaqësuese e industrisë së sigurimeve në Kosovë dhe se buxheti i shtetit të Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve.
“Duke filluar nga data 1 mars 2022 është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit ashtu që brenda periudhës prej një viti të kemi një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara rregullisht në Republikën e Kosovës. Nga kjo datë e tutje, anëtarët sigurues të BKS-së do të kenë autorizimin për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me rastin e sigurimit të tyre pranë Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve”, thuhet në komunikatë.
Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike për identifikimin e të njëjtave nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugorë të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej një viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit./21Media

Back to top button