Nga 1 muaj paraburgim për 14 personat e dyshuar për fajde

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda ka informuar sot se ka caktuar masë të paraburgimit prej një muaji për 14 persona të dyshuar për veprën penale “Fajde”, që janë arrestuar në aksionin e Policisë në kuadër të rastit “Brezovica”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër katërmbëdhjetë (14) të dyshuarve: B.S., F.S., E.S., A.S., Sh.R., L.H., R.A., M.A., K.G., A.M., B.O., B.A., N.A., Sh.H., e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në njoftimin e Gjykatës.
Ndërkaq, sa i përket të dyshuarit S.B., i është refuzuar kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe i caktohet masë e sigurisë ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Back to top button