Dodik reagon ndaj intervistës së Petritsch në RTV21: Ai nuk duhet t’i japë mësim askujt

Kreu i Republika Srpska-s në Bosnjë, Milorad Dodik e ka quajtur kriminel ish-ndërmjetësin ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Wolfgang Petrisch.
Ky reagim i tij vjen pas intervistës që RTV21 ka zhvilluar me Ambasadorin Petrisch tre ditë më parë.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Dodik tha se nuk është shoqatë e qytetarëve siç sugjeron Petrisch.
“Shkelja e marrëveshjeve ndërkombëtare është vepër penale dhe kriminelët si Petrisch nuk duhet t’i japin mësim askujt. Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, ai nuk është shoqatë e qytetarëve siç sugjeron Petrisch. Sipas Marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni duhet të reflektojë funksionalisht interesat e popullit serb në Kosovë”, tha Dodik, duke iu përgjigjur diplomatit të njohur i cili tha se Asociacioni s’duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe as njëfarë Republika Srpska, me të cilën tha se kanë përvojë të keqe.
“Më vjen keq që kujtimet e tij për Republika Srpska nuk janë më traumatike se ato që ai përshkruan, sepse një ngacmues i tillë ndërkombëtar nuk meritonte më mirë. Të sugjerosh se cilit kamp duhet t’i bindet Serbia dhe rajoni i Ballkanit është një refleks i një menaxheri kolonial që e sheh këtë rajon dhe qasjen ndaj tij përmes asaj që bëri në Bosnjë e Hercegovinë si një përfaqësues i lartë”, tha tutje Dodik.
Ish- i dërguari i BE-së për Kosovën Ambasadori Wolfgang Petritsch e ka cilësuar propozimin franko-gjerman si një hap të ndërmjetëm drejt njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se rruga evropiane e Serbisë është e kushtëzuar me njohjen e Kosovës dhe njëkohësisht i bëri thirrje kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq që përfundimisht ta marrin vendimin politik për ta mbështetur dhe zbatuar propozimin gjermano-francez. Petritsch tha se përmes propozimit BE-ja do që të përshpejtojë negociatat me Beogradin, por njëkohësisht që ta shtyjë përpara edhe aplikimin e Prishtinës për anëtarësim në BE. Ai tha se Bashkimi Evropian po kërkon themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe që nuk ka fuqi ekzekutive dhe as legjislative dhe që nuk është një lloj i Republikës Serbe, një shembull sipas tij shumë i keq./21Media

Back to top button