Nga 1 shtatori, nxënësit në Kosovë e Shqipëri me abetare të përbashkët
Nagavci: Viti i ri shkollor me tekste të reja dhe abetaren e përbashkët
Ministrja për Arsim, Shkencë, Teknologji (MASHT), Arbërie Nagavci ka thënë se janë gati të fillojnë vitin e ri shkollor dhe se kanë filluar shpërndarjen e teksteve të reja shkollore.
Nga 1 shtatori, Nagavci ka thënë se Kosova e Shqipëria do të nisin edhe me abetaren e përbashkët.
Ajo ka thënë se po angazhohen në mënyrë që të përmirësojnë rezultatet në arsim. Po ashtu, edhe abetarja e përbashkët ka thënë se është gati për shpërndarje mes dy vendeve.
“Ministria Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në koordinim edhe me komunat, drejtoritë komunale të arsimit por edhe me shkolla i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor…Angazhimi ynë është shumë dimensional në mënyrë që të përmirësojmë rezultatet në arsim”, tha ajo.
Ndërsa ka thënë se këtë vit të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të nëntën do të pajisjen me tekste të reja.
“Aktualisht i kemi marrë të dhënat për tekstet shkollore dhe tashmë ka filluar shpërndarja e teksteve shkollore në komuna të ndryshme dhe ky është një proces që është duke vazhduar edhe sot, në mënyrë që të gjithë nxënësit të pajisen me kohë për tekste. Sivjet të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë do të pajisen komplet me tekste të reja”, ka thënë Nagavci.
Nagavci shtoi se edhe strategjia për arsim për pesë vitet e ardhshme është finalizuar dhe në fillim të muajit të ardhshëm do të miratohet.
Sipas saj, janë paraparë të ndahen një milionë euro për mësimdhënësit me sëmundje të rënda.
“Sivjet për herë të parë kemi ndarë buxhetin për mësimdhënësit me probleme shëndetësore, mbi 1 milion euro janë paraparë për përfitimin rreth 300 mësimdhënësve me probleme kronike e sëmundje të rënda shëndetësore të cilët janë të punësuar në institucionet tona edukativo-arsimore”, thotë Nagavci.
Nagavci ka thënë se edhe abetarja e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë është e gatshme të shpërndahet.
“Kanë përfunduar të gjitha procedurat. Ne kemi kërkuar nga shtëpia botuese që kopja digjitale të dërgohet më herët në shkolla në mënyrë që mësuesit e klasës së parë të përgatitën dhe të punojnë suksesshëm me këta nxënës. Uroj të mos kemi probleme serioze dhe më 1 shtator vogëlushet e klasës së parë të kenë abetaren ne duart e tyre”, vijoi Nagavci./kp