Nga 28 tetori ”Zgjoi”, edhe në Cineplexx
Filmi ”Zgjoi” me regji nga Blerta Basholli do të shfaqet edhe në Cineplexx në Prishtinë.
Filmi i cili u bë kandidatura e Kosovës për çmimin Oskar, në kategorinë për filmin më të mirë të huaj, do të shfaqet për publikun në Kosovë me datën 28 tetor.
Lajmin e ka bërë të ditur Cineplexx përmes një postimi në ”Facebook”.
Filmi si temë trajton jetën e një gruaje siç është Fahrija e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ku fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
”Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n. Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.
Kujtojmë se ”Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe me drejta të shitjes globale nga LevelK./21Media