Të enjten takohet grupi i Kosovës me të Serbisë, diskutohet për targat

Të enjten grupet teknike të Kosovës dhe Serbisë do të takohen për të diskutuar opsionet për zgjidhjen e përhershme të çështjes së targave të automjeteve.
Këtë për portalin rtv21.tv e konfirmoi Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, teksa shtoi se në këtë mbledhje të parë nuk pritet të merret ndonjë vendim.
Marrëveshja e Brukselit e arritur së fundi e cila zhbllokoi situatën në veri përmban tre pika, ku në pikën e tretë është paraparë takimi i grupit punues mes dy shteteve.
“Të enjten, me 21 tetor, do të mbahet mbledhja e parë e grupi teknik për targat e automjeteve. Në këtë mbledhje do të shqyrtohen opsionet për një zgjidhje të përhershme duke u bazuar në tre parime kryesore: i) zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, ii) të jetë e aplikueshme dhe të aplikohet për të dy palët, iii) dhe nëse njëra palë bllokon arritjen e një zgjidhje të përbashkët apo nuk zbaton atë që është dakorduar atëherë ajo është palë bllokuese e dialogut. Në këtë mbledhje të parë nuk pritet të merret ndonjë vendim.”, tha Kryeziu./21Media

Back to top button