Nga 600 euro për 2000 maturantë

Ministria e Arsimit ka shpallur konkurs për subvencionimin e maturantëve për ndjekjen e kurseve në fushën e Teknologjisë Informative.
Sipas Ministrisë, kuponët për kurset në fushën e Teknologjisë Informative do t’iu ndahen 2000 maturantëve, të cilët jenë shtetas të Republikës së Kosovës, janë nxënës të rregullt në arsimin formal publik në klasën e XII për vitin shkollor 2021/2022. Ndërsa kriteri për të fituar kuponë për kurse të trajnimit në fushën e Teknologjisë informative është nota mesatare e suksesit nga dëftesa e klasës XI.
“Vlera e kuponit është 600 euro, ku shuma prej 200 euro ndahet për mbulimin e shpenzimeve indirekte (transporti, ushqimi). 300 euro ndahen për rimbursimin e shpenzimeve direkte (pagesa për regjistrimin e kursit), ndërsa 100 euro ekzekutohen pas përfundimit me sukses të trajnimit dhe marrjes së certificates”, thuhet në njoftimin e MASHTI-it.
Kuotat për përfituesit e kuponëve do të ndahen proporcionalisht sipas numrit të nxënësve për shkollat e mesme të larta profesionale dhe gjimnaze. Në komunat – shkollat ku ka maturantë të komuniteteve jo-shumicë, të njëjtit mund të përfitojnë deri në 10% të kuponëve në nivel shkolle. Në komunat – shkollat ku ka nxënës me nevoja të veçanta, të njëjtit mund të përfitojnë masa të kuponëve deri në 10 %
Konkursi do të jetë i hapur 14 ditë, nga data 16 deri më 30 nëntor, në ora 23:59./21Media

Back to top button