Nga janari vdiqën 42 persona nga aksidentet në trafik

 

Për periudhën kohore janar-maj 2021, kanë ndodhur 37 aksidente fatale dhe kanë humbur jetën 42 persona, kështu ka njoftuar Policia e Kosovës. Në një komunikatë për media Policia ka bërë të ditur se do të vazhdoj të rris prezencës policore në trafik si dhe ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj të gjithë kundërvajtësve, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit të së dielës, janë shqiptuar 1.184 gjoba, përderisa për periudhën pesë mujore ka shqiptuar 167.304 gjoba.

Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia në vazhdimësi apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike.

“Policia e Kosovës, për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për drejtuesit e automjeteve të cilët bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut, nuk do të bëjë asnjë tolerim, do të ndërmerr masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi.Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është edhe ofrimin i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik./21Media 

 

Back to top button